IKSHP publikoi analizen e gjendjes shëndetësore të popullatës
Prishtinë, 21 tetor - Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u publikua sot analiza e gjendjes shëndetësore të popullatës për vitin 2010 si dhe 16 publikime të tjera me të dhëna statistikore për aspekte të ndryshme të shëndetit publik, përfshirë resurset humane në shëndetësi, lindjet në institucionet shëndetësore, mortalitetin e të porsalindurve, punën e Qendrës së laboratorëve testues në IKSHP, etj.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se publikimi i analizës së gjendjes shëndetësore të popullatës, është me rëndësi të veçantë dhe po vjen në momentin më të duhur, kur shëndetësia kosovare është në proces të fillimit të një reforme shëndetësore, ndërsa të dhënat e bazuara në evidencë, theksoi ai, i ndihmojnë shumë vendimmarrësit në sjelljen e politikave të drejta shëndetësore.
Pasi shprehu besimin se Ligji për Shëndetësi do të miratohet shpejt në Kuvendin e Kosovës dhe ky ligj, do të shoqërohet pastaj edhe me Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore që hapin një kapitull të ri në shëndetësinë e Kosovës, duke bërë riorganizimin e sistemit, por dhe sigurimin e një financimi të qëndrueshëm, Ministri Agani tha se të dhënat si këto të publikuara në analizën e gjendjes shëndetësore dhe vëllimet e tjera më të dhëna që u prezantuan sot, bëjnë një prerje të qartë midis periudhës kur sistemi shëndetësor nuk ka pasur të dhëna të sakta dhe të mjaftueshme dhe periudhës kur po ndërtohet Sistemi i Informimit Shëndetësor.
Ai tha se MSh do të përmbyll shpejt fazën e parë në drejtim të krijimit të sistemit të informimit shëndetësor që është realizuar me përkrahjen e Projektit të Qeverisë së Luksemburgut për të vazhduar me fazat e tjera në ndërtimin e këtij sistemi, ku të dhënat nga institucionet si IKSHP janë të rëndësisë së veçantë.
Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, Gani Shabani tha Ministria i mirëpret analizat e tilla dhe në bazë të dhënave që rezultojnë, do të jetë në gjendje të bëjë edhe intervenimet e duhura me qëllim të përmirësimit të indikatorëve të ndryshëm. Të dhënat në evidence shkencore, theksoi ai, janë të rëndësisë kruciale në procesin e reformave në shëndetësi.
Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se analiza e gjendjes shëndetësore të popullatës do të shërbejë si një motiv pozitiv për të gjithë ata që marrin pjesë në sistemin shëndetësor, në mënyrë që puna e tyre të jetë në mënyrë korrekte e prezantuar dhe e dobishme në sjelljen e vendimeve për politikat shëndetësore.
Duke e pasur një dokument të tillë para vetes, secili pjesëtar si kontribues në sistemin shëndetësor e veçanërisht në informata e prezantuara mund të shoh shansin që të avancoj dhe përmirësoj këto informata duke i bërë mjetë të fuqishme për sjelljen e vendimeve me qëllim të avancimit të sistemit shëndetësor dhe ruajtjes e përparimit të shëndetit të popullatës.
Analizën e gjendjes shëndetësore të popullatës 2010 e ka bërë dr. Ilir Begolli nga Departamenti i Mjekësisë Sociale në IKSHP.
Ai i ka elaboruar në hollësi të dhënat e prezantuara si rreth resurseve humane e profesionale ashtu edhe për organizimin e nivelit të kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe ka theksuar se analiza e gjendjes shëndetësore 2010 është bazuar në të dhënat demografike të publikuara nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, si rezultate preliminare të regjistrimit të popullsisë, REKOS 2011.