22 Dhjetor 2024

IKSHP dhe UNICEF-i konfirmojnë rezultatet pozitive

Prishtinë, 31 mars - Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP), me përkrahjen e UNICEF-it, ka prezantuar sot në Prishtinë rezultatet e studimit për gjendjen e ushqyeshmërisë së shtatzënave dhe fëmijëve të moshës shkollore në Kosovë.

Dr. Mybera Mustafa, zëvendësministre e Shëndetësisë në Republikën e Kosovës, tha se MSh është e inkurajuar nga fakti se rezultatet e këtij studimi të prezantuar flasin për progres në Kosovë në eliminimin e çrregullimeve nga pamjaftueshmëria e jodit dhe mikronutricientët e tjerë, duke shënuar kështu arritjen e një standardi të kërkuar në fushën e shëndetit publik.

“Eliminimi i sigurt i deficiencës së jodit dhe zvogëlimi i prevalencës së anemisë janë indikator që flasin se Kosova po bën hapa të mirë në mbrojtjen e shëndetit të popullatës së saj”, tha Mustafa.

Në shekullin në të cilin po jetojmë, theksoi ajo, “është  e papranueshme që të lejojmë që deficiencat të cilat mund të eliminohen të jenë shkaktarë të foshnjave të lindura me retardime mentale, të ketë aborte  dhe rritje të vdekjeve prenatale dhe sëmundje të tjera që lidhen me këto deficienca, e të cilat atakojnë edhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë”.

Johannes Wedenig, shef i UNICEF-it në Kosovë, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së popullatës kosovare nga deficiencat e jodit, anemia dhe çrregullimet e tjera të ushqyeshmërisë, duke theksuar se Kosova si një vend me popullatë të re, ka nevojë që asaj t’i sigurojë një jetë të shëndoshë.

Kurse, dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se ky institucion po reformon të gjitha strukturat e saj me qëllim të arritjes së objektivave në fushën e shëndetit publik dhe në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë për  zbatimin e Strategjisë Sektoriale shëndetësore.

Rezultatet e studimit për gjendjen e ushqyeshmërisë së shtatzënave dhe fëmijëve të moshës shkollore në Kosovë, janë prezantuar nga dr. Tahire Maloku-Gjergji, drejtoreshë e Departamentit të Ekologjisë Humane në IKSHP, derisa dr. Agron Gashi, shef për nutricion në UNICEF, ka bërë një prezantim lidhur me pasurimin e miellit me acid folik në Kosovë.

Raporti u vlerësuar si gjithëpërfshirës dhe në veçanti u shpreh admirim për faktin se rezultatet e hulumtimit flasin në favor eliminimit të sigurt të deficiencës së jodit në popullatën e Kosovës, një tregues ky që thotë se në familjet kosovare përdoret kripa e jonizuar, sikur edhe për ulje të prevalencës së anemisë te shtatzënat dhe fëmijët e moshës shkollore. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)