Hungaria mbështetë institucionet në Kosovë për të reaguar ndaj Covid-19
Prishtinë, 19 nëntor - Hungaria i dhuroi institucioneve në Kosovë një numër të madh të pajisjeve mbrojtjes personale. Ushtarët hungarezë të KFOR-it mundësuan transportin e rreth 50,000 maska për fytyrën dhe 5,000 veshje mbrojtëse, i cili u bë me aeroplan të Forcës Ajrore Hungareze dhe u dorëzuan në depon qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë.
Me këtë rast, ambasadori hungarez në Prishtinë Jozsef Bencze theksoi se "donacioni është një projekt dypalësh që u promovua nga Ministri i Punëve të Jashtme Péter Szijjártó dhe homologia e tij, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, pas takimit të mbajur në tetor, në Budapest.”
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili gjithashtu mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të donacionit, falënderoi Hungarinë për furnizimin që do të ndihmojë kapacitetet vendore të reagojnë ndaj Covid-19.
Kontingjenti hungarez i KFOR-it lehtësoi zbatimin e projektit, i cili bëhet në kuadër të ndihmës së ofruar nga vendet aleate të NATO-s dhe partnere për institucionet në Kosovë për të reaguar ndaj pandemisë globale.
Hungaria është vendi i tretë kontribues në misionin e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, me rreth 400 ushtarë që shërbejnë në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Batalionin e Rezervës Taktike të KFOR-it, të udhëhequr nga Hungaria.
Që nga shpërthimi i pandemisë, KFOR-i ka ofruar pajisje mbrojtëse personale për institucionet shëndetësore në Kosovë, duke lehtësuar shpërndarjen e ndihmës nga vendet aleate dhe partnere, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Turqinë dhe Austrinë.