Hospitalizohen 391 pacientë si pasojë e sëmundjeve të mushkërive
Prishtinë, 18 nëntor - Nesër do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Sëmundjeve Pulmonare Obstruktive- Kronike (SPOK).
Me këtë rast, mjekët e Klinikës së Pulmologjisë (Mushkërive) të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në bashkëpunim me Shoqatën e Pulmologëve të Kosovës do të shënojnë këtë ditë.
Në Klinikën e Pulomologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në vitin e kaluar janë hospitalizuar 391 pacientë si pasojë e sëmundjeve pulmonare , përderisa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë llogaritet se 50 milionë njerëz vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, kurse çdo vit vdesin 3 milionë njerëz.
Në bazë të hulumtimeve shkencore, mendohet se në vitin 2020 sëmundjet pulmonare do të jenë shkaktari i tretë i vdekjeve në botë.
Të mërkurën, nga ora 9:00, deri në 12:00, në Sheshin Nënë Tereza, do të shpërndahen broshura dhe fletëpalosje tjera që kanë për qëllim informimin e qytetarëve për këto sëmundje.
Po në këtë Shesh, do të hapet një pikë e improvizuar në të cilën qytetarëve do tu jepen informatat rreth sëmundjeve pulmonare nga mjekët dhe infermierët e Klinikës së Pulmologjisë.