Heart është mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor më 2012
Prishtnë, 6 shtator - Lidhur me Institucionin Privat Shëndetësor Heart në Gjakovë , me themelues Hajrullah Binakaj, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur për opinion se i njëjti është inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë me datën 30.10.2012, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Pejë, Inspektoratin Farmaceutik dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Inspektimi është kryer bazuar në Ligjin për Shëndetësi nr. 2004/4, Ligjin për Inspektoratin Shëndetësor nr. 02/L-38 dhe Ligjin mbi Veprimtarinë Private nr. 2004/50.
Pas këtij inspektimi specifik, ku është kontrolluar dokumentacioni mjekësor, emri dhe lloji i institucionit, librat e pacientëve, librat e kujdestarisë, afati i përdorimit të barnave, anti-shok terapia, orari i punës, personelin që punon aty dhe të tjera, Inspektorati Shëndetësor ka gjetur një sërë parregullsish, duke përfshirë edhe emërtimin në këtë spital, si pasojë e të cilave, Inspektorati Shëndetësor ka marrë vendim për ta mbyllur këtë spital po ditën e inspektimit; ka dërguar lëndën në Bordin për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore pranë MSH-së dhe në Bordin për Licencim të Profesionistëve Shëndetësor (MSH) për shqyrtim të licencës të disa prej nëpunësve aty.
Inspektorati Shëndetësor ka shkëmbyer, gjithashtu, të dhënat me Policinë e Kosovës dhe kjo e fundit ka iniciuar procedurën penale pranë Prokurorisë Publike në Gjakovë.
Pas marrjes së lëndës nga Inspektorati Shëndetësor, Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore (MSH), ka revokuar licencën e IPSH Heart, me datën 26.11. 2012.
Një inspektim tjetër nga ana e Inspektoratit Shëndetësor, prapë së bashku me Policinë e Kosovës është bërë me datën 03. 12. 2012 në IPSH Heart, me qëllim të sigurimit të provave të tjera lidhur me rastin dhe monitorimit të mbylljes kohë më parë të Spitalit nga Inspektorati Shëndetësor.
Pas këtyre inspektimeve dhe vendimit për mbyllje të Spitalit, Ministria e Shëndetësisë me departamentet përkatëse të saj dhe zyrtarët përgjegjës, i ka ofruar bashkëpunimin e nevojshëm organeve hetuese për të sqaruar rrethanat e rastit.
Komisioni për licencim të Profesionistëve Shëndetësor pranë MSh-së, ka analizuar edhe një herë të gjithë lëndët lidhur me emrat e mjekëve të apostrofuar në shtyp dhe ka vërtetuat se të gjitha procedurat janë përfillur në tërësi.
MSh gjatë tërë procesit të hetimeve, ka krijuar rrethana që procesi i hetimeve të zhvillohet në mënyrë të papenguar dhe organet e hetuesisë ta kryejnë punën e vet dhe këtë bashkëpunim do ta ofrojë edhe në vazhdim.