Haziri shpreh mirënjohje dhe falënderim për mantelbardhët
Gjilan, 8 dhjetor – Kryetari në detyrë i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur mbledhjen e fundit në këtë cilësi me Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Kryetari Haziri ka falënderuar të gjithë anëtarët e Komitetit për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm në ruajtjen e shëndetit publik.
“Në mbledhjen e fundit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi pasur brenda afro dy vite të përballjes me pandeminë COVID-19. Sot, fatmirësisht kemi vetëm 2 raste aktive me këtë virus, derisa kemi numër të madh të të vaksinuarve. Apeli im në këtë cilësi është që gjilanasit duhet të përgatiten për marrjen e vaksinës së tretë, sipas udhëzimeve të IKSHPK. Mirënjohje dhe falënderim për mantelbardhët për punën e madhe që e kanë bërë në mjekimin e mijëra pacientëve të prekur me COVID-19”, ka thënë kryetari Haziri.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 27819 mostra, 9870 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 201 persona e kanë humbur betejën, 2 raste janë aktive, 88009 qytetarë deri tani janë vaksinuar, në hospitalizim me COVID pozitiv nuk është asnjë pacient, ndërkaq nuk ka mostra në pritje për rezultat.