Haradinaj:Reforma rrënjësore në shëndetësi
Prishtinë, 21 maj - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në tubimin tematik të mbajtur me temën "Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale" mes tjerash ka thënë se jo rastësisht e zgjodhëm që sot në vendin ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit të shpalosim Platformën e DREJTIMIT TË RI për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale.
"Kosova është vendi më i varfër dhe izoluar në Evropë. Kosova është një pacient i sëmurë! Jo rrallë e kam thënë: kur një pacient shkon tek mjeku, ky i fundit para se të fillojë të mendojë për shërimin tënd do të mendojë në atë se a ke dhe sa ke para ta paguash", ka theksuar ai.
Sipas tij ky është realiteti sado që dhemb. Ashtu siç është e vërtetë kur shohim qytetarët tanë duke bredhur rrugëve apo kafeneve: pa punë, pa perspektivë, në periferi të ekzistencës së tyre jetësore.
Aleanca me DREJTIMIN E RI që do t'i jep Kosovës e sheh si një prej detyrave të saj prioritare shëndetësinë dhe mirëqenien sociale - për të gjithë qytetarët tanë, të të gjitha shtresave.
Aleanca do ta adoptojë Ligjin e ri, që do të mundësojë: reformën rrënjësore në shëndetësi, decentralizimin e plotë të institucioneve publike shëndetësore, riorganizimin e QKUK-së, Spitalin Rajonal të Prishtinës dhe qendrën e re terciare shëndetësore!
Do të implementojmë plotësisht sigurimin shëndetësor për të gjithë qytetarët!
Deri në vitin 2018 buxheti për përkujdesje sociale do të dyfishohet!
Pensionet e të gjitha kategorive do të dyfishohen!
Ashtu siç baballarët tanë u Lidhën dhe Rilindën Kombin tanë me Lidhjen e Prizrenit sot DREJTIMI I RI do të Lidhë Aleancë me Qytetarin për t'ia përmirësuar jetën dhe mundësuar të ndihet i barabartë me kombe e shtete tjera të botës.
Kosovës, Aleanca dhe unë do i japim DREJTIM TË RI!
Dhe këtë ua thotë njeriu i cili në vendin e tij njihet si ai që e mban premtimin për fjalën e dhënë! Këso radhe ndjehem më i obliguar se kurrë më parë të premtoj.