Haradinaj: Sigurime, shërbim të shpejtë për shëndetësinë
Prishtinë, 15 maj - Sistemi i shëndetësisë do të jetë krejt ndryshe. Do të fillojmë menjëherë me sigurime shëndetësore. Secili qytetar në nevojë do të marrë shërbim të shpejtë dhe kualitativ, ka thënë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në vizitën e sotme në Klinikën Gjermane të Syrit, në Prishtinë.
Kryetari i AAK-së ka vizituar këtë klinikë, për të parë nga afër një sektor në shëndetësinë kosovare, ku e ka përcjellë mesazhin e tij dhe ka shpalosur pjesë nga platforma e partisë, për zgjedhjet e ardhshme nacionale në vend.
Haradinaj, po ashtu, ka thënë se spitalet tona nuk do të kundërmojnë më, ngase Aleanca ka program, vizion dhe njerëz që do të jenë ilaçi i vërtetë për shëndetësinë e Kosovës.
Ju nuk do të bredhni më, për tu furnizuar me barna esenciale. As nuk do të bredhni rrugëve të botës për tu shëruar, ka thënë Haradinaj, në porosinë e tij për shëndetësinë dhe qytetarët e Kosovës, gjatë vizitës në Klinikën Gjermane të Syrit.