Haradinaj: Qeveria i ka dhënë prioritet sektorit të shëndetësisë
Prishtinë, 10 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim drejtoren e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Dr. Bukurije Zhubi.
Kryeministri Haradinaj, tha se që nga marrja e mandatit, Qeveria i ka dhënë prioritet sektorit të shëndetësisë dhe përmirësimit të gjendjes, duke theksuar se tashmë ka më shumë përkushtim dhe rezultate në shëndetësi.
Duke i quajtur mjekët heronj tanë, kryeministri Haradinaj tha se qeveria që drejton është e përkushtuar në vazhdimësi për përmirësimin e infrastrukturës, pajisjeve shëndetësore dhe ngritjen e cilësisë në sistemin shëndetësor.
“Gjatë këtij mandati qeverisës është rritur buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, është zvogëluar në masë të madhe lista e pritjes dhe është duke u investuar në ndërtimin e spitaleve rajonale, në mënyrë që pacientët të gjejnë trajtimin e duhur në institucionet shëndetësore të vendit”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj është njoftuar nga stafi i QKTGJ-së për punën që bëjnë në grumbullimin e dozave të gjakut për personat në nevojë, duke thënë se dhuruesit vullnetarë të gjakut në Republikën e Kosovës mbulojnë pjesën më të madhe të nevojave që paraqiten në QKTGJ.
Me këtë rast, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), Dr. Bukurije Zhubi, i ka ndarë kryeministrit Haradinaj mirënjohje për kontributin si dhurues i rregullt i gjakut.
Kryeministri Haradinaj, ka falënderuar personelin e Qendrës për mirënjohjen, duke thënë se dhurimi i gjakut është shembull i mirë i humanizmit që duhet ndjekur nga të gjithë dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe ofrimin e mbështetjes për këtë qendër të rëndësishme.