Haradinaj në manifestimin për Luftimin e Kancerit të Gjirit
Prishtinë, 28 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, mori pjesë në manifestimin informativ-kulturor dhe ecjen tradicionale në muajin e luftës kundër kancerit me moton: "Zbulimi i hershëm=Mbijetesë", që për herë të dhjetë u organizua nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, udhëhequr nga Nafije Latifi.
Ky manifestim kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për gruan dhe për tërë shoqërinë për sëmundjen e kancerit të gjirit, dhe njëkohësisht nxitjen e institucioneve përgjegjëse për krijimin e kushteve sa më optimale për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe trajtimin e saj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se për këtë ditë më së miri mund të flasin ato që e kanë kaluar këtë sfidë, duke potencuar këtu se njeh shumë zonja të cilat kanë kaluar një sfidë të tillë.
“Qëllimi i kësaj dite, ashtu sikur organizatorët e kanë paraqitur, Shoqata Jeta/Vita, është të sensibilizojmë vetveten, secilën zonjë, secilin prej nesh që t’i paraprijmë këtij rreziku duke bërë kontrolle dhe të arrijmë te diagnostikimi sa më i hershëm kur ekziston ky rrezik, sepse është sëmundje e shërueshme nëse identifikohet në kohë”, tha kryeministri Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se kanceri i gjirit sot është rrezik për të gjitha shoqëritë, për të gjitha vendet, por siç tha ai, rreziku bëhet më i madh në Kosovë për shkak të specifikave që i kemi dhe për shkak të hezitimit të femrës kosovare, që të bëjë kontrollet e duhura dhe të ndodhë diagnostikimi në kohë.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës ndjen peshën e përgjegjësisë, dhe në këtë kampanjë, të 10-tën me radhë, obligohet që me të gjithë mekanizmat, institucionet shëndetësore dhe të tjera, të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kësaj sëmundje.