Hapet Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Mitrovicë
Pjesëmarrëset marrin edukimin esencial në ushquyeshmërinë gjatë shtatzanisë, fazat e shtatzanisë, përgatitjen fizike dhe psiqike për lindje, kujdesin ndaj të posalindurit dhe gjidhënien. Në këto Qendra mbahen edhe ushtrimet fizike për lindje.
Në ceremoninë e hapjes sot, Ministri i Shëndetësisë, Z. Imet Rrahmani, bëri hapjen zyrtare të dyerve të Qendrës Informuese dhe theksoi rëndësinë e edukimit shëndetësor.
Shëndeti i nënës dhe fëmijës është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qendrat e tilla informuese janë esenciale për edukimin e grave dhe partnerëve të tyre për shtatzaninë dhe lindjen, si dhe shëndetin riprodhues, shton Rrahmani. Njëkohësisht Z. Rrahmani falenderoi Aksionin për Nëna dhe Fëmijë për punën që po e bënë për shëndetësinë kosovare.
Kjo qendër sot shënon pikën e 5-të të lokacionit të kësaj inicative të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë. Deri më tash, rreth 2,500 gra kanë përfituar nga përkrahja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. Muajin e kaluar themeluam Qendrën në Shtërpcë, ndërkaq një vit më parë dy në Prishtinë e një në Ferizaj deklaron Mrika Aliu, Drejtoreshë Ekezkutive e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.
Hapja e Qendrës Informuese në Mitrovicë përkrahet nga Ambasada e Australisë dhe zgjerimi i aktiviteteve të këtij programi mundësohet falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja Të vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët. Programi edukativ i Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas mbështetet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Solidar Suisse Kosova.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë.
Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.