Hapet Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Hani të Elezit
Hani Elezit, 28 maj - Sot u hap pika e 13-të e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas“Klasat për Nëna” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare Dr. Menduh Kaloshi, në Komunën Hani Elezit.
Ky projekt realizohet falë mbështetjes së Raiffeisen Bank në Kosovë dhe bashkëpunimit të mirë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën Hani Elezit.
Klasat për Nëna është iniciativë e fondacionit Action for Mothers and Children si pjesë e programeve edukative për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë.
Këto klasa ofrojnë shërbime edukative shëndetësore për vajzat, gratë si dhe partnerët e tyre duke përfshirë midis tjerash: përgatitjen për një shtatzëni të shëndetshme, ecurinë e saj dhe procesin e lindjes, kujdesin ndaj foshnjës, rëndësinë e të ushqyerit me gji, përgatitjen psikike dhe fizike për procesin e lindjes, si dhe informacione të tjera për kujdesin dhe zhvillimin e fëmijës.
Klasat ofrojnë këshilla në një ambient të këndshëm dhome dhe në mënyrë inter aktive.
Hapja e qendrës Klasat për Nëna në Komunën Hani Elezit shënon njëherit edhe pikën e 13-të të lokacionit të këtij programi. Deri më tash, rreth 6.000 gra kanë përfituar nga përkrahja e këtyre klasave. Ne angazhohemi që këto qendra ti zgjerojmë në gjithë territorin e Kosovës.