Hapet programi i specializimeve në Psikologji klinike e Psikoterapi
Prishtinë, 11 prill - Sot në Prishtinë u bë hapja zyrtare e Programit të Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë në Kosovë, një projekt ky bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve zvicerane e holandeze, dhe i financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.
Në ceremoninë e hapjes zyrtare të këtij programi morën pjesë Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Ferid Agani, U.D. i Sekretarit të Përgjithshëm Dr. Gani Shabani, Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, znj. Krystyna Marty Lang, udhëheqësit e Agjensionit Zvicerene për Zhvillim dhe Bashkëpunim drejtorët e projektit: Jens Gaab, Nexhmedin Morina, Naser Morina, Mara Bruggisser, zyrtarë të tjerë nga fusha e shëndetësisë dhe psikologjisë dhe grupi i 20 specializantëve të parë, të cilët gjatë tre viteve të ardhshme do ta ndjekin programin e Psikologjisë klinike dhe Psikoterapisë.
Ky program do të kryesohet nga Komiteti i Psikologjisë klinike nën mbikëqyrjen e Bordit Qendror për Shkollim Specialistik të MSh-së, ndërsa zbatimi është mundësuar edhe nga Fondacioni Kosovar për Shëndetësi (Kosova Health Foundation)
Hapjen e këtij programi e ka përshëndetur Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, i cili ka vlerësuar se hapja e këtij programi të ri është shumë i rëndësishëm në ngritjen e kuadrit dhe resurseve profesionale në fushën e Psikologjisë klinike dhe Psikoterapisë, që gjithsesi do të ketë rol të madh edhe në mbështetjen e shërbimeve ekzistuese të shëndetit mendor në Kosovë.