Hajnat tentojnë të vjedhin edhe paratë e QKUK-së
Prishtinë, 5 shkurt - Sot, në orën 8:30, përgjegjësi i arkave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK) Sabit Hasani, është sulmuar nga hajnat, derisa po dilte nga vetura zyrtare në afërsi të bankës NLB, për të dorëzuar paratë e Arkës, në vlerë prej 2.000 euro.
Shpend Fazliu zëdhënës i QKUK-së ka bërë të ditur se derisa arkëtari po dilte nga makina zyrtare në hyrje të bankës, disa persona të panjohur kanë grabitur çantën në të cilën ndodheshin paratë.
Fazliu ka thënë se sipas deklaratës së Hasani, personat e panjohur, pasi i kanë marrë çantën me të hollat, kanë ikur në në drejtim të barakave që gjenden afër Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
"Pas gjithë kësaj, Hasani, ka filluar ti ndjek personat e pa njohur duke kërkuar rikthimin e çantës, kurse atij i ka dalë në ndihmë, sigurimi i afërt. Pas kërcënimeve, ata kanë lëshuar çantën në tokë dhe kanë ikur në drejtim të panjohur", ka thënë Falziu.
Ai po ashtu ka theksuar se ngjarjen e kanë vërejtur edhe punëtorët e sigurimit të Bankës NLB, të cilët menjëherë kanë lajmëruar përgjegjësit e Bankës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Rasti është paraqitur në Policinë e Kosovës, përderisa paratë e shpëtuara, janë deponuar në xhirollogarinë e QKUK-së, në Bankën NLB. QKUK, dënon këtë tentativë të vjedhjes, duke kërkuar nga organet e rendit dhe sigurisë, që menjëherë të hetohet rasti dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.