Grupi i Grave Deputete monitoroi punën e Mamografit
Prishtinë, 10 maj - Një delegacion i Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, të prira nga Blerta Deliu-Kodra, kryetare, të shoqëruara edhe nga ambasadori i OSBE në Kosovë, z. Jean-Claude Schlumberger si dhe Koordinatori Nacional për Mamografin Mobil, Agim Bregaj bën sot monitorimin e punës së Mamografit Mobil, i cili aktualisht ndodhet në komunën e Vushtrrisë.
Me këtë rast, kryetarja e GGD-së, deputetja Blerta Deliu Kodra, në fillim të fjalës së saj tha: Ne gratë deputete jemi shumë të lumtura që Mamografi është në shërbim të grave dhe falë tij po shpëtohen jetë të tyre. Qëndrimi i Mamografit, deri metani në 17 komuna, si dhe ekzaminimi i më se 3000 grave është ajo që ne kemi synuar, th ajo, dhe shtoi: Ne, nuk do të ndalemi me kaq, tani ka radhën projekti Ma- Mo 2, i cili do të jetë shumë i dobishëm, dhe besoj që do të realizohet.
Lidhur me punën e Mamografit Mobil në Vushtrri, njoftoi drejtori për shëndetësi në këtë komunë, Dr.Avdullah Klinaku, si dhe drejtoresha e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, Dr. Luljeta Zahiti.
Ata e vlerësuan shumë lartë punën që është bërë me këtë Mamograf në komunën e tyre, ndërkaq, më pas foli ambasadori i OSBE në Kosovë, z. Jean-Claude Schlumberger.
Ai me këtë rast tha: Takimin e parë në fillim të misionit tim këtu, e kam pasur me GGD-në dhe kemi biseduar pikërisht për nevojën e një Mamografi. OSBE, tha më pas ai, duke parë rëndësinë e Mamografit për shëndetin e gruas, do të vazhdojmë ta përkrahim GGD-në, si dhe projektin për të siguruar edhe një të tillë.
Deputetja Xhevahire Izmaku, e cila vie nga kjo anë, kërkoi që të shikohet mundësia e zgjatjes së qëndrimit të Mamografit mobil në këtë komunë.
Deputete Kuvendit të Kosovës: Lirije Kajtazi, Mexhide Mjeku -Topalli dhe Synavere Rusha, ndërkaq, shprehën shqetësimin, por, edhe vullnetin për gjetjen e një forme kompensimi për dy punonjësit e ekipit të Mamografit, të cilët ka më se 6 muaj që nuk kanë marr pagë.
Në fund, koordinatori për Mamografin, Dr. Ardian Biçaku, tha se ky projekt është shumë i suksesshëm, për faktin se aparatura po shkon te pacienti. Falë kësaj, vijoi ai, deri më tani janë ekzaminuar 3639 gra, ndërkaq, janë detektuar të prekura nga kanceri 27 sosh.
Ai vlerësoi se derimëtani janë ekzaminuar më se 2% të femrave të Kosovës.
Deputet, në fund u zotuan se do të angazhohen që lufta kundër kancerit të gjirit të jetë e fituar duke rezultuar me ekzaminime me kohë dhe me trajtim të suksesshëm.