Gripi i Derrit, vdes një 36 vjeçare në Prishtinë
Prishtinë, 1 shkurt - Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një 36-vjeçare ka vdekur nga pasojat e infektimit me virusin A-H1N1, të njohur si gripi i derrit.
Lajmin e ka konfirmuar Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar mbi 100, nga të cilët një raportohet të jetë në gjendje të rëndë.
Edhe drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj e ka konfirmuar vdekjen e pacientes që ishte shtrirë më shumë se dy javë, pasi ishte prekur nga gripi.
Nga fillimi i epidemisë e deri të dielën nga mostrat e marra në Klinikën Infektive janë të dokumentuar 108 të sëmurë të prekur me influencën në Kosovë.
Gjatë këtij sezoni të gripit pandemik A/H1N1, në Kosovë janë konfirmuar 92 raste me këtë virus, 16 me virusin e influencës A, ndërsa dy raste me A/ H1N1 ishin trajtuar në mjekimin intensive.