Gripi i derrit në Kosovë, 2 viktima, 62 të prekur
Prishtinë, 12 shkurt - Gripi i derrit ka prekur dhjetra persona në Kosovë, ndërkohë që gripi sezonal qindra të tjerë.
Shtatë persona të prekur nga virusi A H1N1vazhdojnë të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm shëndetësor në Klinikën e Infektologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Tre nga ata janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Në mënyrë laboratorike, ndërkaq, deri tashni është vërtetuar të jenë prekur nga ky virus 62 persona.
Këtë shifër e ka dhënë të hënën drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ndërsa është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
Ky i fundit ka thënë se deri tani, nga të gjitha këto raste me A H1N1, 8 raste janë të konfirmuara me influencë të gripit të rëndomtë A, kurse 2 persona kanë përfunduar me vdekje.
Klinika Infektive është e përgatitur mirë për trajtimin e rasteve të tilla, ka thënë Fazliu dhe ka shtuar se ajo ka staf të mjaftueshëm të mjekëve profesionistë si dhe përvojat e viteve të kaluara kanë ndikuar pozitivisht që trajtimi i këtij gripi të bëhet në mënyrën më të suksesshme.
Sipas infektologëve, Tamiflu është bari kryesor me të cilin trajtohet dhe shërohet virusi A H1N1. Kurse, sa u përket barnave sipas Fazliut, ka mungesë të tyre.
Furnizimi me barna dhe material shpenzues nuk varet nga QKUK-ja, meqë ai bëhet përmes Departamentit Farmaceutik në MSH, ka thënë ai.
Ndërkaq drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani theksoi se nga gripi sezonal janë prekur rreth 8 mijë e 500 veta.