Gjilani ka aktualisht 150 raste aktive me COVID-19
Gjilan, 26 shkurt - Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, nën udhëheqjen e nënkryetarit të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka mbajtur takimin për vlerësimin e situatës për dy ditët e fundit.
Në këtë takim, nënkryetari Ismajli njoftoi se 150 raste janë aktive me COVID-19 në Gjilan,
derisa u ka bërë apel qytetarëve dhe bizneseve që japin shërbime që të vazhdojnë t’i respektojnë masat, vendosjen e maskës dhe mbajtjen e distancës.
Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 11893 mostra, 3680 kanë rezultuar pozitivë, 3425 janë shëruar, 110 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 150 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 23 persona dhe 389 mostra në pritje për rezultat.
Ndryshe, Komiteti i themeluar nga kryetari Lutfi Haziri më 13 mars 2020, ka të inkorporuara institucionet lokale dhe regjionale, përfshirë edhe QKMF’në, emergjencat civile, QRSHP, policinë, Bashkësinë Islame, zjarrfikësit, qendrën e thirrjeve 112 dhe Kryqin e Kuq.