Gjermania interesohet për punëkërkuesit e infermierisë
Prishtinë, 6 korrik - Zëvëndesministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenjes Sociale (MPMS), Fatmir Shurdhaj, me bashkëpunëtor ka zhvilluar një takim pune me një delegacion gjerman, gjegjësisht Walter Kolbov dhe Wolfgan Grefe, përfaqësues të Berlin Consulting Group, që shoqëroheshin nga ish-ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita.
Fillimisht Shurdhaj ka falënderuar përfaqësuesit gjerman për përkrahjen dhe ndihmën që shteti gjerman ka ofruar dhe po ofron për shtetin e Kosovës si në aspektin e sigurisë dhe në mbështetjen financiare për popullin e Kosovës.
Qeveria dhe populli i Kosovës gjithmonë do të jenë mirënjohës për shtetin gjerman për atë që ka bërë dhe po bënë Gjermania për Kosovën ka thënë Shurdhaj dhe më pas ka njoftuar mysafirët për aktivitetin që zhvillon MPMS-ja për qytetarët me nevoja të veçanta, me theks të veçantë për gjendjen e papunësisë në Kosovë që është një ndër përballjet më të rëndësishme për Kosovën.
Shurdhaj më pas ka potencuar mundësinë e punësimit sezonal të punëkërkuesve tanë në tregun e punës në Gjermani dhe për shërbimet që MPMS-ja ofron për punëkërkuesit e Republikës së Kosovës në sferën e aftësimeve dhe riaftësimeve profesionale.
Kolbov dhe Grefe kanë njoftuar Shurdhaj për vizitat që paraprakisht kanë zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të arsimit dhe qëllimi i vizitës së tyre në MPMS është që të kenë një pasqyrë sa më të plotë për aktivitetet që zhvillohen në Kosovë në sferën sociale gjegjësisht se çka MPMS-ja bënë për punëkërkuesit.
Delegacioni gjerman ka shprehur interesim të veçantë për punëkërkuesit e profesionit të infermierisë, pasi Gjermania ka nevojë për disa mijëra ofrues të këtyre shërbimeve për persona të moshuar.
Të dy palët kanë rënë dakord që të përgatisin të dhënat e nevojshme dhe sa më shpejt që të jetë e mundur të fillohet me veprime konkrete për të arritur deri tek ndonjë marrëveshje eventuale për dërgimin e ofruesve të shërbimeve sociale për të moshuar në Gjermani.