Gjashtë fëmijë të sëmurë presin paratë për tu trajtuar jashtë vendit
Prishtinë, 26 shtator - Paratë nga Fondi qeveritar prej 5.5 milionë eurosh për fëmijët me leukemi dhe sëmundje të tjera të rënda, sërish po vonohen.
Përderisa rastet urgjente të fëmijëve të sëmurë që po presin paratë të trajtohen jashtë vendit po përkeqësohen, ka të tillë që u ka mbetur trajtimi në gjysmë.
Ministrisë së Shëndetësisë i duket e zakonshme ecja e ngadalshme e procedurave në një situatë të tillë politike, në çfarë gjendet aktualisht vendi.
Ata thonë se kanë bërë kërkesë për fonde shtesë. Ndërsa vonesat dhe koha se kur do të alokohen mjetet thonë se janë çështje të institucioneve që menaxhojnë buxhetin e Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Financave.
Madje, sipas përfaqësuesve të kësaj Ministrie, aktualisht nuk ka raste me leukemi duke pritur për fondin.
Por vajza e Zejnepe Xhaferit, 14 vjeçe, është duke pritur paratë e këtij Fondi për trajtim jashtë shtetit pikërisht për shkak të sëmundjes së leukemisë.
Ajo nuk mund të trajtohet më tutje në Kosovë, pasi që ndërhyrjet për të cilat ka nevojë, nuk realizohen në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
Që nga korriku i këtij viti ajo është duke pritur që MSH-ja ti ndajë 150 mijë euro për trajtimin e vajzës në Gjermani.
/koha/