GGD dhe MSH me memorandum për blerjen e Mamografit Mobil
Prishtinë, 30 maj - Në vazhdën e aktiviteteve për blerjen e Mamografit Mobil, Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës nënshkroi sot Memorandum me Ministrinë e Shëndetësisë.
Në emër të GGD-ës Memorandumin e nënshkroi kryetarja, znj. Teuta Sahatqija, ndërsa në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, minstri Ferid Agani.
Me këtë rast tha znj.Sahatqija tha :Është kënaqësi, që sot po nënshkruajmë këtë memorandum, i cili ka karakter të shumanshëm, që pos blerjes përfshin edhe vetëdijesimin , gjithë përfshirjen, solidarizimin dhe kontributin e deputeteve, i cili nuk ka të bëjë vetëm me aktivitetet, por edhe me kontributin financiar të vetë deputeteve.
Ministri i Shëndetësisë, z. Ferid Agani, duke përgëzuar GGD-ën për angazhimin për blerjen e mamografit, tha se kjo ministri po merr obligim për aspektet që parashihen me këtë memorandum.
Mamografi Mobil, tha Agani, do tu mundësojë grave detektimin e hershëm të kancerit të gjirit, e kjo nënkupton trajtim më të lehtë, më lirë dhe shërim.
Për aspektet e aktiviteteve që do të bëhen për këtë projekt foli menaxherja e projektit, deputetja Donika Kadaj Bujupi, e cila tha: Ne po gjejmë përkrahje dhe vullnet të madh te shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare. Ky projekt që do të realizohet gjatë këtij viti do tju dalë në ndihmë grave anekënd Kosovës.
Në këtë memorandum parashihen obligimet e të dy palëve, përkatësisht: GGD-ja gjatë kohëzgjatjes së këtij memorandumi do te lobon për fonde tek institucionet dhe organizatat e ndryshme, themelon dhe koordinon Bordin Drejtues të projektit, bashkëpunon me të gjitha palët e përfshira për të siguruar transparencën e procesit dhe mbikëqyr zbatimin e gjithë projektit dhe informon publikun për ecurinë e këtij projekti.
Pas përfundimit të suksesshëm të procesit të blerjes dhe liferimit të mamografit mobil nga KCSF-ja Grupi i Grave Deputete ia dorëzon atë zyrtarisht Ministrisë së Shëndetësisë.
Kjo ministri bashkë me GGD-ën dhe palët tjera të përfshira, gjatë kohëzgjatjes së këtij memorandumi do te cakton personin zyrtar, përfaqësues në Bordin Drejtues të Projektit.
Në marrëveshje më Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile -KCSF-ën, shqyrtojnë mundësinë për angazhimin e ekspertëve të fushës për përcaktimin e termave të Referencës për blerjen e mamografit mobil, cakton ekspertët për trajtimin e sëmundjeve malinje, të cilët do të jenë të angazhuar në këtë projekt, gjatë vënies në funksion dhe gjatë shfrytëzimit të aparaturës.
Po ashtu cakton personat përgjegjës (shoferin e mjetit transportues) dhe personin për mirëmbajtjen e aparaturës së mamografit mobil; ofron të gjithë infrastrukturën e disponueshme të MSH-ës për akomodimin e sigurt të mamografit mobil, si dhe ofron informatat lidhur me procesin e pranimit, vënies në funksion dhe shfrytëzimit të mamografit mobil.