FSSHK-ja dënon sulmet fizike ndaj mjekëve
Prishtinë, 15 shtator - Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka reaguar ndaj sulmit fizik që i është shkaktuar një mjeku të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Në komunikatën e lëshuar nga FSSHK-ja thuhet se ky është një veprim teje të ultë dhe makabër. FSSHK-ja dënon ashpër sulmin e bërë ndaj mjekut të QMF-Prishtinë, i cili edhe sipas ushtrimit të funksionit publik në të mirë të qytetarëve të Kosovës, është eksponuar veprimeve barbare të individëve të papërgjegjshëm, thuhet në reagimin e FSSHK-së.
Kërkojmë nga organet e sigurisë dhe të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha masat e parapara me ligj, në drejtim të ndëshkimit të kryesit dhe parandalimit të paraqitjes të rasteve të tilla në të ardhmen. Me këtë rast, FSSHK-ja përkrah fuqimisht protestën njëorëshe të organizuar nga Sindikata e QMF-Prishtinë, me qëllim të përkrahjes së kolegut të tyre dhe mbrojtjen e dinjitetit të mantel bardhëve, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga kryetari i FSSHK-së Dr. Blerim Syla.