FSSHC e zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave
Prishtinë, 1 korrik - Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC) ndihet e zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës për shpalljen e pavlefshëm të Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, ku shërbyesve civilë të Republikës së Kosovës dhe kategorive tjera të shërbyesve publikë iu mohohet e drejta elementare e trajtimit dinjitoz në paga.
Me anulimin e këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës iu është mohuar e drejta për trajtim të dinjitetshëm shërbyesve civilë, të cilët edhe ashtu janë në gjendje të rëndë ekonomike, edhe përkundër që puna e tyre është shumë me përgjegjësi. Shfuqizimi i këtij ligji nga Kushtetuesja do t’i dekurajojë në përgjithësi nëpunësit civilë.
FSSHCK-ja është zhgënjyer nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese për faktin se i tërë ligji nuk mund të jetë kundër-kushtetues.
Njëkohësisht, FSSHC-ja përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për formimin e menjëhershëm të grupit punues për Ligjin e pagave dhe njëkohësisht kërkojmë që të trajtohet me prioritet edhe gjatë procedimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Nëse nuk ndërmerren masat e menjëhershme nga institucionet qeveritare për të përmirësuar gjendjen aktuale të shërbyesve civilë pakënaqësitë sindikale të zyrtarëve civilë dhe publikë do të reflektohen në forma të ndryshme për të kërkuar të drejtën elementare për pagë të dinjitetshme.