22 Dhjetor 2024

FSHSK kërkon që pagesa prej 44 euro tu paguhet punëtorëve

Prishtinë, 2 prill - Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së  Kosovës, i mbledhur dje, më 1 prill 2010, pasi ka analizuar mbledhjen e këtij organi të Federatës, të datës 3 mars 2010; gjendjes së krijuar nga mospagesa e 44 eurove në gati të gjitha institucionet shëndetësore të vendit, përveç QKUK-së, dhe duke marrë për bazë ndryshimet që kanë ndodhur në udhëheqësinë e Federatës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, ka vendosur që t’i japë afat dhjetë (10) ditë Ministrit të emëruar të Shëndetësisë, të zhvillojë takim me Kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. 

Po ashtu, në  afat prej shtatë (7) ditësh nga takimi i Kryetarit të Federatës me Ministrin e Shëndetësisë, i kërkohet këtij të fundit (Ministrit të Shëndetësisë) që të zhvillojë takim me Kryeministrin e vendit, ku të vendoset që pagesa e 44 eurove për vitin 2009 të bëhet nga të gjitha komunat që nuk e kanë shlyer këtë borxh.

Gjithashtu, Ministri i Shëndetësisë të kërkojë nga Kryeministri i vendit që pagesa e 44 eurove për të gjithë punëtorët shëndetësorë, nga 1 janari 2010, të bëhet përmes buxhetit të Kosovës dhe që kjo pagesë nga kjo datë, pra 1 janar 2010, të jetë vijë buxhetore e buxhetit të Republikës së Kosovës. 

Pas këtyre takimeve dhe vendimeve, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës do të formojë grup negociator për takim urgjent me: Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Ministrin e Shëndetësisë, Ministrin e Administratës Publike dhe Ministrin e Financave. Ky takim do të kishte si pikë të rendit të ditës: Parashikimin e rritjes së pagave të të gjithë punëtorëve shëndetësorë në fazën e rishikimit të buxhetit të vendit, në muajin qershor 2010.

Federata insiston që të marrë pjesë si palë aktive në komisionet për hartimin e: ligjit të punës, ligjit të pagave, ligjit për sigurimet shëndetësore, ligjit për organizimin sindikal dhe ligjit për grevat.

Këshilli Drejtues i FSSHK-së ka konstatuar se, në rast se kërkesat e mësipërme nuk përmbushen deri më 30 prill 2010, Federata do të ndërmarrë masa sindikale. Dhe pikërisht me 1 maj 2010, në Ditën Ndërkombëtare të Punës, Federata do të dalë në konferencë për medie ku do të kumtojë gjendjen e punëtorëve shëndetësorë në vend dhe qëndrimet e saj për veprimet e ardhshme.

Në ndërkohë, Federata ka marrë njoftim mbrëmë, më 1 prill 2010, se në Institutin e Mjekësisë së Punës në Gjakovë është shpallur konkurs për ushtruesin e detyrës së drejtorit të këtij Instituti, nga ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë. Me këtë rast Federata shprehë indinjatën që një zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë tenton të përdorë vakuumin ligjor dhe institucional të ndërrimit të Ministrit të Shëndetësisë, për të ndërmarrë një veprim të paarsyeshëm ligjor. Paarsyeshmëria e këtij vendimi argumentohet:

   1. Momenti i marrjes së këtij vendimi nuk shtyhet nga asnjë lloj emergjence pasi Ministri i ri i Shëndetësisë do të marrë detyrën brenda së paku një jave.
   2. Në Spitalin Rajonal të Gjakovës drejtori aktual është ushtrues detyre prej 2 vjetësh, ndërsa ushtruesi i detyrës së Institutit të Mjekësisë së Punës në Gjakovë është prej 2 muajsh, çka gjithashtu tregon se veprimi nuk ka qenë me bazë parimore por individuale.

Prandaj, Kryesia e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së  Kosovës, me keqardhje vlerëson se ky është një tregues që argumenton dyshimet e ngritura më herët për keqmenaxhim në Ministrinë e Shëndetësisë. Po ashtu, Federata dëshiron që ky reagim të jetë edhe një këshillë miqësore për punën e Ministrit të ri të Shëndetësisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)