Forcohet bashkëpunimi mes Turqisë dhe Kosovës
Prishtinë, 29 dhjetor -Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani priti sot një delegacion nga Izmiri i Turqisë, i kryesuar nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Turqisë z. Rifat Sait, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të këtij shteti.
Në këtë takim, Ministri Agani, e ka njoftuar delegacionin nga Turqia, në përbërje të së cilit përveç politikanëve kishte edhe biznesmenë e përfaqësues të federatave e shoqatave të ndryshme joqeveritare, për zhvillimet në shëndetësinë kosovare, procesin e reformave dhe nevojat e sistemit shëndetësor të Kosovës.
Ministri Agani ka falënderuar Qeverinë e Turqisë për bashkëpunimin shumë të mirë deri tani me MSh-në, trajtimin e njëqind pacientëve kosovarë falas sipas Marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy ministrive, ndihmën në aspektet e tjera shëndetësore, por edhe ndihmën që Turqia po i jep Kosovës edhe ne agjendën politike.
Ai ka theksuar se në kuadër të partneritetit publiko-privat bashkëpunimi në mes të Kosovës e Turqisë në shëndetësi do të mund të intensifikohet në të ardhmen, bazuar në rregullativën ligjore që ka krijuar Qeveria e Kosovës dhe se fushë e bashkëpunimit të suksesshëm mund të jetë edhe turizmi shëndetësor.
Deputeti në Parlamentin e Turqisë, Rifat Sait, ka shprehur interesimin për fushat konkrete të investimeve në shëndetësinë kosovare si dhe ka theksuar se Turqia do të vazhdojë të mbështes Kosovën edhe në fushën e lobimit për sa më shumë njohje të pavarësisë së saj.
Në takim janë biseduar edhe tema të tjera me interes në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në mes të Turqisë e Kosovës.