Forca e Sigurisë ndihmon komunat tona në përballje me pandeminë
Prishtinë, 12 nëntor - Në kazermën “Adem Jashari”, respektivisht në Qendrën Mjekësore të FSK-së, sot u mbajtë ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit nga Republika Federale e Gjermanisë me materiale mjekësore për përballimin e krizës së pandemisë COVID-19.
Në emër të shtetit dhurues, donacionin e dorëzoi drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s ( NALT), gjeneral brigade Frank Best, kurse në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, donacionin e pranoi zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi në shoqërim të drejtorit të Qendrës Mjekësore të FSK-së, dr. Shkëlzen Syla.
Më pas, bazuar në planin paraprak të QKMFSK, me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama si dhe në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me stafin e lartë ushtarak gjerman, filloi operacioni i shpërndarjes së materialeve të donacionit përkatës në komunat e planifikuara të banuara nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Kontingjenti i parë i donacionit përkatës, sot iu dorëzua Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, ku të pranishëm ishin edhe gjeneral Cikaqi, gjeneral Best dhe dr.Syla të pritur nga zëvendëskryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka me bashkëpunëtorë si dhe stafi drejtues i Qendrës Mjekësore përkatëse.
Në fillim, z. Mujka në emër të stafit të QKMF-së dhe qytetarëve të komunës së tij, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e madh për FSK-në dhe shtetin gjerman për ndihmën e ofruar e shumë të nevojshme në këtë periudhë.
Nga ana e tyre, gjeneral Cikaqi dhe dr. Syla, i njoftuan të pranishmit me përmbajtjen e projektit dhe shprehën zotimin për vazhdimin e aktiviteteve të FSK-së me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion për mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në përballje me krizën e pandemisë COVID-19 dhe nevoja tjera.
Shpërndarja e materialeve mjekësore përkatëse do të vazhdoj edhe gjatë pesë ditëve të ardhshme në komunat: Viti, Hani i Elezit, Kaçanik, Mamushë, Dragash, Suharekë, Obiliq, Vushtrri, Kamenicë, Shtërpcë, Drenas, Lipjan, Fushë Kosovë, Junik, Deçan, Skenderaj, Istog, Vitomiricë dhe Podujevë.