Fol: Ilir Tolaj ka "zaptuar" Ministrinë e Shëndetësisë
Prishtinë, 2 tetor - Lëvizja FOL, ka mbajtur konferencë për shtyp, me rastin e tërheqjes nga Memorandumi i Mirëkuptimit për monitorimin e procedurave të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, i nënshkruar në mes të Lëvizjes FOL dhe ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë me 10 qershor 2011 dhe publikimin e raportit mbi keqpërdorimet në prokurimin e kësaj ministrie.
Arsyeja e tërheqjes së Lëvizjes FOL nga ky memorandum është mos zbatimi nga ana e kësaj ministrie përkatësisht nga zyra e prokurimit.
Menaxheri i programeve, Fidan Kalaja tha se edhe pse Lëvizja FOL është përpjekur në vazhdimësi përmes komunikimit të vazhdueshëm, duke u takuar dy herë me ministrin Agani dhe duke e njoftuar atë për këtë gjendje nuk ka arritur të ketë sukses që ky memorandum të zbatohet.
Për me keq ministri nuk është përgjigjur rreth raportit me shqetësimet, dyshimet dhe faktet që Lëvizja FOL ka adresuar në lidhje me keqpërdorimet që kanë dhe janë duke ndodhur me tenderë të kësaj ministrie.
Sipas Kalaja, zaptimi dhe pronësia mbi Ministrinë e Shëndetësisë nga sekretari i përgjithshëm Ilir Tolaj, përmes shefit të prokurimit Zenel Kuçi, ka bërë që ky memorandum të mos zbatohet duke e mbyllur dhe izoluar, thelluar mos-transparencën e procedurave të prokurimit më qëllim lejimin e vazhdimit të keqpërdorimeve kronike të parasë publike të qytetarëve të Kosovës, madje duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre përmes produkteve jo-cilësore dhe pa afat.
Kalaja përfundojë se përpjekjes që këtë memorandum ta shfrytëzojnë në opinion publik se kinse Ministria e Shëndetësisë zhvillon procedura të prokurimit në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse para qytetarëve, medieve dhe shoqërisë civile, sot
Lëvizja FOL i jep fund duke siguruar dhe garantuar se ajo në vazhdimësi e ka monitoruar këtë institucion duke përgatitur dhe realizuar hulumtim investigativ për parregullsitë dhe keqpërdorimet që kanë ndodhur gjatë dhënies së tenderëve dhe realizimit të kontratave publike në këtë ministri.
Menaxheri i projektit, Armend Pajaziti, paraqiti shkurtimisht vargun e keqpërdorimeve të ndodhura në këtë ministri gjatë vitit 2011. Ai tha se menaxhimi i depos së barnave bëhet nga kompania Rimed, e cila gjithashtu merr pjesë edhe në tenderë të tjerë, që paraqet konflikt të pastër interesi.
Në bazë të informatave thuhet se barnat nuk menaxhohen mirë nga kjo kompani dhe se dyshohet se së bashku me zyrtarë të MSH-së dhe institucioneve tjera, bëjnë falsifikimin e dokumenteve për pranimin/dorëzimin e barnave, qoftë kur hyjnë në depo, apo edhe kur dalin nga depoja.
Më tutje ai shtoj se, MSH ka shpërblyer me tenderë edhe zyrtarët të lartë të kësaj ministrie, siç është rasti me z. Hajrullah Fejza, i cili dyshohet se është i përfshirë në shumicën e keqpërdorimeve në tenderët e MSH-së dhe njihet si pazargjiu i tenderëve.
Edhe pse Auditori i Përgjithshëm ka vërejtur se kompani të caktuara kanë furnizuar MSH-në me barna pa afat, kjo e fundit sipas Armend Pajazitit ka vazhduar që ti shpërblejë të njëjtat kompani edhe këtë vit duke e dëmtuar edhe më tej buxhetin e Kosovës.
Lëvizja FOL, do të vazhdojë monitorimin e procedurave të prokurimit të kësaj ministrie duke ndërmarrë dhe realizuar hulumtime të tilla, do të publikojë secilin keqpërdorim që do të haset dhe do të ndërmerren hapa tjerë që këto keqpërdorime të minimizohen.