Filluan punën grupet punuese për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore
Prishtinë, 24 mars - Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, dr. Ferid Agani, është mbajtur sot takimi i parë i grupeve punuese në revidimin e Ligjit për Shëndetësi dhe Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Ministri Agani është kryesues i të dy këtyre grupeve, të përbëra nga zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHP-së, QKUK-së, Fakultetit të Mjekësisë, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, subjekteve të ndryshme politike, shoqërisë civile, ekspertëve të fushës së sigurimeve dhe konsulentëve ndërkombëtarë.
Në takimin e parë të këtyre dy grupeve, ministri Agani i ka njoftuar anëtarët e këtyre dy grupeve se pritjet e tij janë të mëdha nga puna e tyre dhe se këto dy ligje do të ripunohen në një pjesë të konsideruar të tyre për tu finalizuar dhe dorëzuar në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës brenda një qind ditëve të para të punës së tij si Ministër.
Ministri ka theksuar se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore dhe Ligji për Shëndetësi janë pjesë e agjendës së tij reformatore dhe pjesë e Programit të Qeverisë së Kosovës për shëndetësi, prandaj ka kërkuar angazhim maksimal dhe përkrahje të gjithanshme, që të dy këto ligje të domosdoshme për kohën, të finalizohen dhe miratohen sa më parë në Kuvendin e Kosovës.
Unë synoj që kur të jenë përfunduar dhe miratuara këto dy ligje, ato të jenë të zbatueshme dhe reforma shëndetësore të ec mbarë dhe në rrugë të sigurt, tha ministri Agani.
Ai i ka njohur gjatë paraqitjes së konceptit themelor për këto ligje, anëtarët e grupeve punuese edhe me programin e tij që ka tri shtylla kryesore: që janë fuqizimi i kapaciteteve në MSH që Ministria të jetë shumë më dinamike; reformimin e sistemit publik shëndetësor që aktualisht është në pozitë të pabarabartë me sistemin privat përmes transformimit të sistemit të institucioneve shëndetësore në ndërmarrje publike dhe themelimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore që do të mbështetet në parimet moderne organizative e funksionale, që parakusht ka nxjerrjen e Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
Në takimin e grupeve punuese për këto dy ligje është përcaktuar edhe dinamika e punës për finalizimin e këtyre dy ligjeve, të cilat duhet të jenë të përfunduara deri në fund të majit.