Filluan analizat e nivelit të plumbit në gjak për 78 fëmijë rom
Mitrovicë, 30 nëntor - Zyra ndërlidhëse e KE-se në partneritet me USAID-in dhe Komunën e Mitrovicës ka filluar të bëjë analizat e nivelit të plumbit në gjak për 78 fëmijë rom, ashkalinjë dhe egjiptian të cilët së voni janë zhvendosur në Mëhallën e Romëve nga kampet "Osterode" dhe "Çesmin Llug" të kontaminuara me plumb.
Infermieret e ambulantës në Mëhallën e Romëve do të bëjnë hapat e para për analizat e fëmijëve të tillë pas miratimit të protokollit të trajtimit nga Ministria e Shëndetësisë. Zyrtarët shëndetësor varësisht prej rezultateve të analizave do të bëjnë trajtimin pasues.
Veç kësaj, Zyra ndërlidhëse e KE-së ka inauguruar fabrikën e re në Parkun Industrial të Mitrovicës që do të punësoj 12 gra dhe meshkuj nga komuniteti RAE dhe 3 nga komuniteti shumicë. Fabrika "Muja" do të prodhoj thasë të letrës për artikuj ushqimor dhe për materiale ndërtimore. Projekti i financuar nga BE-ja ka bërë blerjen e lëndës së parë për fillimin e prodhimit.
Kjartan Björnsson, i ngarkuar me punë në Zyrën ndërlidhëse të KE-së në Kosovë, tha: Ngjarjet e sotme kanë të bëjnë me ofrimin e mundësive reale për fëmijët që të kenë jetë më të mirë pas viteve të jetesës në kampet e kontaminuara me plumb. Ekspozimi ndaj plumbit dhe metaleve të rënda mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për shëndetin e fëmijëve. Veç kësaj, lansimi i fabrikës së re është pjesë e përkushtimit të BE-së për zhvendosje dhe riintegrim të qëndrueshëm të pjesëtarëve të komunitetit RAE.
Projekti "Iniciativa për Përkrahjen e RAE në Mitrovicë" përdor një qasje shumësektoriale për përkrahjen e familjeve të zhvendosura të RAE.
Ky projekt përfshin përkrahje për kontrolle dhe trajtime mjekësore, gjenerim të të ardhurave si dhe ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive, iniciativa për zhvillimin e komunitetit, dialog ndëretnik, arsimim, regjistrim civil, asistencë ligjore dhe përkrahje për ndërtimin e kapacitetit të autoriteteve komunale në Mitrovicë.
Ky projekt gjithashtu bashkëpunon me një projekt të ngjashëm të financuar nga USAID-i për zhvendosjen e komunitetit RAE. Këto dy projekte implementohen nga Mercy Corps në bashkëpunim me partnerët lokal siç janë Agjencia e Kosovës për Avokim dhe Zhvillim (AKAZH) dhe Qendra e Dokumentimit të Romëve - Ashkalinjëve (QDRA).