Fillon vaksinimi masiv i qytetarëve të Mitrovicës
Mitrovicë, 15 qershor - Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtoreshën e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, sot kanë vizituar stafin shëndetësor të QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni” dhe ekipet tjera shëndetësore të cilët po kryejnë vaksinimin e qytetarëve të Mitrovicës në hapësirat e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”.
Përmes kësaj vizite kryetari Bahtiri ka parë për së afërmi procesin e vaksinimit masiv të qytetarëve të Mitrovicës, proces ky i cili ka nisur nga dita e sotme.
Me këtë rast, shefja e sektorit të vaksinimit në QKMF, Dr. Shefkate Sylejmani, njoftoi se procesi ka filluar mirë që nga mëngjesi, është duke u respektuar Plani Kombëtar i Vaksinimit kundër Covid-19, dhe qytetarët janë ndarë të kënaqur me organizimin.
“Në bazë të këtij plani për qytetin e Mitrovicës brenda një muaji janë planifikuar të vaksinohen rreth 18 mijë qytetarë. Kemi sjellë edhe autoambulancën e cila është në shërbim të qytetarëve që mund të kenë ndonjë reaksion me rastin e marrjes së vaksinës”, shtoi Dr. Shefkate Sylejmani.
Vlen të përmendet se ekipet shëndetësore të cilat po kryejnë vaksinimin e qytetarëve të Mitrovicës janë të përbëra nga QKMF-ja “Dr. Nexhat Çuni”, Ministria e Shëndetësisë, dhe FSK-ja nën asistencën e Kryçit të Kuq, dhe janë në shërbim të qytetarëve nga e Hëna deri të Premten, prej orës 07:00-19:00.