Fillon punimet Kongresi Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore
Prishtinë, 7 maj - Sot në Prishtinë fillon punimet Kongresi i VI-të Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore KISCOMS 6.
Kongresi Ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi KISCOMS, ka për qëllim stimulimin dhe ngritjen e vetëdijes dhe interesimit të studentëve dhe profesionistëve të rinj të shkencave mjekësore, mbi rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore.
Kongresi mbahet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina, Universitetin e Gjakovës Fehmi Agani, Kolegjin Universi, Akademinë Italiane të Nutricionit dhe Dietologjisë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Kongresi realizohet nën kujdesin e Prof.Dr. Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina. Hapja solemne bëhet nesër, në ora 10:30, në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë.
Në kongresin e 6-të do të prezantohen mbi 60 punime shkencore, ndërsa pjesëmarrës aktiv dhe pasiv janë rreth 550 studentë dhe profesionistë të shkencave mjekësore.