Fillon Java e dytë Shëndetësore Kosovë -Turqi
Prishtinë, 4 maj - Prej sotnë Kosovë do të mbahet Java e dytë Shëndetësore Kosovë-Turqi, ku ekspertët kosovarë së bashku me ekspertët nga Turqia do të kryejnë procedura të ndryshme diagnostiko dhe terapeutike në lëmitë: Kardiokirurgji, Kardiologji invazive, Gjinekologji, Kirurgji plastike, ORL, Gastroenterologji, Radiologji, Onkologji dhe Kirurgji e djegieve.
Hapja e kësaj jave, do të bëhet sot në ora 11:00 me një prezantim para mediave të ekipeve nga Turqia e Kosova, në Drejtorinë e QKUK-sëm ku të pranishëm do të jenë edhe Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, krerët e QKUK-së dhe autoritete të tjera shëndetësore nga Kosova e Turqia.
Gjatë javës së parë shëndetësore Kosovë-Turqi, e cila ishte organizuar në shtator të vitit të kaluar ishin kryer
127 kontrollime mjekësore, 139 konsultime, 50 operacione, 14 angiografi, 12 vendosje të stentave, 4 ERCP, 5 endoskopi, 20 ultrazë dhe ishin mbajtur 11 seminare.
Pas realizimit të javës së parë të përbashkët shëndetësore, filloi faza e dytë e implementimit të Marrëveshjes ndërmjet MSH së Republikës së Turqisë dhe MSH së Republikës së Kosovës për edukimin e stafit mjekësor.
Për këtë vit është paraparë edukimi i 40 profesionistëve shëndetësor nga lëmitë e ndryshme mjekësore.
Grupi i parë i mjekëve nga Kosova në muajin shkurt ka qëndruar në edukim njëmujor në Turqi, ndërsa momentalisht atje gjendet grupi i dytë. Grupi i tretë do të shkoj në fund të majit, kurse grupi i fundit në shtator të këtij viti.
Të gjitha shpenzimet e këtij programi barten nga MSH së Republikës së Turqisë nëpërmjet agjensionit TIKA.
Paralelisht me këtë, kah fundi i majit do të filloj zbatimi i projektit të Kujdesit Intensiv Qendror me 27 shtretër në hapësirat e QKUK-së.