Filloi Java e shëndetësisë kosovaro turke


Prishtinë, 22 shkurt - Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, nga sot, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka filluar Java e shëndetësisë Kosovaro - Turke.
Hapja e kësaj jave, u bë sot nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, Ambasadorja e Republikës së Turqisë, znj. Kivilcim Kiliç dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Curr Gjocaj.
Ministri Imet Rrahmani tha se organizimi i kësaj jave është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë midis dy shteteve, përkatësisht ministrive respektive, gjithashtu rezultat edhe i angazhimit të Ambasadores së Republikës së Turqisë në Kosovë dhe profesionistëve shëndetësor të këtij vendi.
Nga ky bashkëpunim disa vjeçar midis dy shteteve në shëndetësi, më së shumti kanë përfituar pacientët kosovar, por edhe profesionistët mjekësor të dy vendeve, tha Ministri Rrahmani.
Ai theksoi se rëndësia e këtij bashkëpunimi jo vetëm në aspektin klinik, por edhe në atë të edukimit të vazhduar profesional, nuk mund të kalkulohet në mjete financiare, pasi që rëndësia e tij qëndron te vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e këtij bashkëpunimi.
Ambasadorja Kivilcim Kiliç tha se Java e Shëndetësisë Kosovare Turke- është një kontribut i drejtpërdrejt i Turqisë për ta ndihmuar shëndetësinë në Kosovë, duke u nisur edhe nga fakti që Kosova për Turqinë është një vend mik dhe që ndajnë mes veti një histori, tradita dhe kultura të përbashkëta.
Java e Shëndetësisë paraqet një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e pashkëputur të bashkëpunimit midis shteteve tona, tha Ambasadorja Kiliç, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të mbështes Kosovën edhe përmes trajtimit falas të një qind pacientëve në vit në spitalet e Turqisë, trajnimeve profesionale të mjekëve kosovarë atje dhe së fundi, ka përmendur ajo, edhe Projektin e TIKA turke për kujdesin e ri intensive në QKUK.
Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, tha se Java e Shëndetësisë..shënon një bashkëpunim mjaft të mirë midis dy shteteve në shëndetësisë, ndërkohë që ka shprehur bindjen se profesionistët e QKUK-së do ta shfrytëzojnë këtë mundësi që me kolegët nga Turqia të ndajnë eksperienca shumë të dobishme gjatë trajtimit të rasteve në klinika të ndryshme.
Gjatë kësaj jave, e cila do të zgjas deri më 28 shkurt, 27specialistë të fushave mjekësore nga Turqia do të kryejnë operacione të ndërlikuara për pacientët e Kosovës në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.
Kjo është hera e tretë e një organizimi të tillë, gjatë të cilës, ekspertët mjekësor nga Turqia vijnë në Kosovë për të realizuar operacione të ndërlikuara për pacientët nga Kosova dhe për ta mbështetur shëndetësinë kosovare, krahas ndërhyrjeve, edhe me ligjërata, seminare dhe diskutime të niveleve profesionale.