Fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në të gjitha proceset zhvillimore në kosovë
Prishtinë, 3 dhjetor - Duke shënuar ditën ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, UNICEF sot u bën thirrje të gjithë udhëheqësve të Kosovës, bartësve të përgjegjësive, shoqërisë civile, të gjithë partnerëve dhe palëve të interesit, nënave dhe baballarëve që të fokusojnë vëmendje dhe investim më të madh në ndihmën ndaj fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në realizimin e të drejtave të tyre.
Tema për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara në vitin 2013 është Thyeni barrierat, Hapini dyert: për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe zhvillim për të gjithë.
Fëmijët me aftësi të kufizuara janë ndër grupet më të margjinalizuara dhe të përjashtuara të fëmijëve. Krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre, atyre rregullisht u mohohet e drejta në shëndetësi, arsimim dhe shërbime sociale. Ata shpesh përjashtohen nga mundësia për pjesëmarrje në komunitetet e tyre dhe janë më të cenueshëm ndaj dhunës dhe abuzimit.
Personat me aftësi të kufizuara, minoriteti më i madh në botë, shpesh ballafaqohen me barriera në pjesëmarrje në të gjitha aspektet e shoqërisë. Barrierat mund të kenë formë të ndryshme që rezultojnë prej legjislaturës apo politikave, apo nga qëndrimet shoqërore a diskriminimi. Rezultati është që personat me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje të barabartë në shërbime, duke përfshirë arsimimin, punësimin, kujdesin shëndetësor, transportin, pjesëmarrjen politike apo drejtësinë.
Për shumë fëmijë me aftësi të kufizuara, përjashtimi fillon që në ditët e para të jetës së tyre me mosregjistrimin e lindjes së tyre. Kur fëmijët me aftësi të kufizuara nuk përfshihen në përpjekjet për mbledhje të dhënash, ata njësoj mungojnë edhe në diskutime publike dhe shpërndarje buxheti., thotë Laila Omar Gad, Shefe e Zyrës së UNICEF-it.
Situata e fëmijëve me aftësi të kufizuara po përmirësohet, por ende ka vakuume të jashtëzakonshme, posaçërisht në vendet ku dominon varfëria dhe pabarazia. Kosova ka bërë progres në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ka shenja që qëndrimet ndaj aftësive të kufizuara po ndryshojnë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka miratuar një strategji që është gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe tani më shumë fëmijë po integrohen në shkollat e rëndomta.
Diskriminimi ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara rrjedh nga burime të shumta, duke përfshirë injorancën, paragjykimet dhe normat kulturore, të cilat çojnë në stigmatizim dhe përjashtim të ngulitur social. Kjo pjesëmarrje limitohet edhe më tutje nga barriera të shumta, duke përfshirë mungesën e qasjes në ambientin fizik dhe në informim e komunikim; mungesën e politikave publike dhe mekanizmave monitorues; dhe mungesën e trajnimeve për mësuesit dhe ofruesit tjerë të shërbimeve.
Ne duhet të çrrënjosim të gjitha barrierat për gjithëpërfshirje. Kjo kërkon ndryshim të perceptimit: të kuptuarit që prezenca aktive dhe zëri aktiv i fëmijëve me aftësi të kufizuara jo vetëm që do të ju ndihmojë atyre, por do të përmirësojë shoqërinë si tërësi, pasi që jep për secilin vlerësim më të madh të diversitetit dhe të tolerancës.
Një shembull se si të drejtat e personave me aftësi të kufizuara preken nga barrierat, është dëshmuar kohëve të fundit gjatë balotazhit për zgjedhje komunale, ku programi televiziv demonstroi pamundësinë e personave me aftësi të kufizuara të votojnë në Prishtinë për shkak të infrastrukturës jo adekuate1. Ishte një shembull që fëmijët me aftësi të kufizuara hasin çdo ditë. Në këtë kontekst, çdo ndërtesë në Kosovë, duke filluar nga kopshtet e fëmijëve, duhen të kenë infrastrukturën adekuate dhe të kenë mundësinë e qasjes për të gjithë.
UNICEF Kosova lansoi raportin global mbi Gjendjen e Fëmijëve të Botës 2013: Fëmijët me aftësi të kufizuara, në mesin e tetorit të këtij viti, ku Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga mbajti fjalimin qendror. Raporti nxirrte në pah që fëmijët me aftësi të kufizuara dhe komunitetet e tyre do të përfitonin nëse shoqëria do të fokusohej në atë se çka mund të arrijnë ata fëmijë, e jo në atë së çka nuk mund të bëjnë. Përqendrimi në aftësitë dhe potencialin e fëmijëve me aftësi të kufizuara do të krijonte përfitime për shoqërinë si tërësi, thekson raporti.
Edhe pse janë ndërmarrë reforma të konsiderueshme në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore në përkrahje të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe po ndodhin shumë ndryshime pozitive, shumë fëmijë me aftësi të kufizuara ende lihen jashtë, të harruar dhe të padukshëm, thotë UNICEF-i.
Ka pak të dhëna të sakta lidhur me numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, llojin e kufizimeve që këta fëmijë kanë dhe si ndikojnë këto kufizime në jetën e tyre. Raporti shtynë të gjitha qeveritë që të mbajnë premtimet e tyre e të garantojnë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e tyre duke përfshirë fëmijët e tyre më të përjashtuar dhe më të cenuar.
Raporti thërret për masa për të luftuar diskriminimin tek publiku i gjerë, tek vendim marrësit dhe ofruesit e shërbimeve esenciale siç janë shkollimi dhe kujdesi shëndetësor.
UNICEF Kosova është e përkushtuar të përkrahë përpjekjen për të thyer barrierat që pengojnë fëmijët me aftësi të kufizuara në pjesëmarrjen e plotë në shoqëri.