Farmacitë në grevë 24-orëshe
Prishtinë, 12 prill - Farmacistët e Kosovës kanë nisur sot grevën e paralajmëruar 24 orësh. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ndonëse të hënën ishte ditë pushimi për institucionet në nivel vendi, doli për të takuar farmacistët me qëllimin që ti bindë të heqin dorë nga greva, duke ua kujtuar atyre se kështu ata po rrezikonin drejtpërsëdrejti shëndetin e pacientëve, nuk ua theu mendjen nga qëllimi.
Greva, sipas kreut të farmacistëve të Kosovës, ka nisur si kundërpërgjigje ndaj aksioneve arbitrare dhe të përsëritura të ndërmarra nga ana e Doganave të Kosovës në barnatoret e vendit, edhe pas reagimeve të shumta nga ana e komunitetit farmaceutik, u detyruam të marrim vendimin për organizimin e grevës 24-orëshe me mbyllje të të gjitha barnatoreve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Farmacistët e bëjnë fajtore për këtë hap edhe AKPM-në dhe vetë Ministrinë.
Sipas një njoftimi të shoqatës që ai përfaqëson, thuhet se aksionet e lartpërmendura kanë qenë shumë fyese dhe denigruese për komunitetin farmaceutik të Kosovës, posaçërisht duke pasur parasysh që thelbi dhe shkaktari i situatës së krijuar janë vetë institucionet e Kosovës, përkatësisht Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, Ministria ë Shëndetësisë dhe Doganat e Kosovës si pjesë e Task Forcës.
Farmacistët kanë kërkuar që të ndërpriten menjëherë aksionet e Doganave të Kosovës dhe TASK FORCES nëpër barnatoret e Kosovës, pastaj që AKPM-ja së bashku me MSH-në të marrë përgjegjësitë që i takojnë për rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës, duke lejuar importin e barnave nga vendet e BE-së, e të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë (nuk kanë autorizim marketingu), të cilat janë të domosdoshme për tregun e Kosovës.
Ata janë kërcënuar se nëse pas grevës së parë kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, atëherë greva do të vazhdojë për kohë të pacaktuar deri në përmbushjen e tërësishme të tyre.