22 Dhjetor 2024

Farmacistët kosovarë këmbejnë përvojat me ata evropianë

Prishtinë, 23 prill - Nën patronatin e Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës dhe organizuar nga Shoqata Farmaceutike e Kosovës (SHFK), në bashkëpunim me Agjencionin Kosovar për Produkte Mjekësore (AKPM), sot në Prishtinë i ka filluar punimet Kongresi i Parë i Farmacisë me pjesëmarrje edhe të farmacistëve ndërkombëtarë.

Me temë qendrore: “Trendet Farmaceutike Evropiane”, kongresi synon të sjellë përvojat e vendeve të rajonit, Evropës dhe të disa vendeve botërore në lëminë e farmacisë, ndërsa prezantimet që do të bëhen, kanë të bëjnë me rregullativën e barnave, praktikën e mirë të prodhimit të barnave, autorizim-marketingun, farmako-ekonominë, farmacinë klinike, regjistrimin e barnave, përdorimin racional të tyre, trendet e reja në farmaci, etj.

Kryetari i Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, Kadri Bytyqi, tha se Kongresi synon që farmacistët kosovarë të këmbejnë përvojat me kolegët e tyre evropianë dhe përmes punimeve të ndryshme dhe debateve, farmaceutika kosovare të jetë në trend me zhvillimet që në këtë sektor ndodhin në botë.

Në ditën e parë të punimeve të Kongresit i cili mbyllet të shtunën eksperti italian Giuseppe Camorali ka folur për praktikat e mira të praktikës farmaceutike, derisa profesori nga Tirana, Besnik Jucaj, ka elaboruar rolin e farmacistit në shërbimet shëndetësore publike sekondare dhe terciare.

Arbenita Pajaziti nga Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar temën rreth harmonizimit të legjislacionit shëndetësor të Kosovës, në veçanti atij të Shëndetësisë me legjislacionin evropian ,derisa me tema janë prezantuar edhe ekspertë të farmaceutikës nga Gjermania si  H. Buchvald, Sinisha Tomiq nga Kroacia, etj.

Punimet që janë prezantuar paraprakisht i janë nënshtruar një vlerësimi të Këshillit Profesional Shkencor, i përbërë nga ndërkombëtarë dhe vendorë, ndërsa Kongresi i Farmacisë synon që të bëhet tradicional dhe të mbahet çdo vit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)