Europa në prag të një vale të re infektimesh
Gjenevë, 2 korrik - Infeksionet Covid-19 janë rritur me 10 për qind brenda një javë në Europë pas dy muajsh në rënie dhe rreziku i një vale të re të rasteve po rritet, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Drejtori rajonal Hans Kluge tha se rreziku ishte rritur nga shtrirja e ngadaltë e vaksinave, variante të reja dhe shmangia e masave kufizuese.
Ekziston gjithashtu një rrezik që Euro 2020 mund të veprojë si një "super-shpërndarës". Qindra tifozë që kthehen nga Londra dhe Shën Petersburg kanë rezultuar pozitive.
Catherine Smallwood nga OBSH u bëri thirrje qyteteve pritëse të bëjnë më shumë për të monitoruar lëvizjen e tifozëve.
"Ajo që duhet të shohim është rreth stadiumeve" tha ajo, duke theksuar udhëtimet para dhe pas ndeshjeve. "Çfarë po ndodh pas lojërave? A po hyjnë ata në bare dhe pub-e të mbushur me njerëz?"
Varianti Delta, i cili ka origjinën në Indi, shihet si kërcënimi më i madh nga shumë vende në Europë. Agjencia e Bashkimit Europian për kontrollin e sëmundjeve ECDC vlerëson se mund të përbëjë 90 për qind të rasteve deri në fund të gushtit.
Rusia ka parë një numër rekord të vdekjeve për tre ditët e fundit, me 672 viktima dhe 23,543 raste të reja të njoftuara vetëm të enjten. Shumica e rasteve të reja në Moskë janë të variantit Delta dhe zyrtarë të lartë shëndetësorë po flasin gjithashtu për një variant të ri Delta-plus.
Qyteti Shën Petersburg i Euro 2020 regjistroi 115 vdekje në 24 orët e kaluara të enjten, në prag të ndeshjes së tij të gjashtë dhe të fundit të turneut midis Spanjës dhe Zvicrës.
Autoritetet shëndetësore finlandeze i bënë thirrje publikut të shmangte udhëtimet në Rusi pasi 400 infeksione u lidhën me tifozët që ktheheshin nga Shën Petersburg në 21 qershor.
Organi drejtues i futbollit europian, Uefa u cilësua "i papërgjegjshëm" nga ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer, i cili tha se ishte e qartë se përqafimi i mbështetësve do të ndihmonte përhapjen e virusit. Ai ishte veçanërisht kritik ndaj vendimit për të lejuar 60,000 mbështetës në stadiumin në Budapestit dhe në Ëembley në Londër për gjysmëfinalet dhe finalen.
"Unë nuk mund të shpjegoj pse UEFA nuk po tregohet e ndjeshme ... Unë dyshoj se kjo është për shkak të komercializmit," u tha ai gazetarëve. Uefa është e prerë se vendimet për numrin e tifozëve të lejuar brenda një stadiumi "bien nën përgjegjësinë e autoriteteve lokale kompetente".