Euromedi ofron shërbime falas për qytetarët e veriut
Mitrovicë, 12 nëntor - Spitali Euromed me seli në Fushë Kosovë do të ofroj shërbime falas për pacientët e veriut të Mitrovicës.
Për këtë të hënën u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi nga përfaqësuesi i spitalit Euromed , Habib Jakupi, dhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri.
Të dy palët e kanë vlerësuar shumë të rëndësishme këtë marrëveshje, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të qytetarëve të veriut. Përfaqësuesi i spitalit Euromed , Habib Jakupi, tha se janë të kënaqur që sadpo pak mund tu ndihmojnë këtë qytetarëve që janë duke jetuar në gjendje të rëndë.
Ai tha se shërbimet mjekësore do të ofrohen për të gjithë qytetarët e veriut pa dallim etnik. Do të ofrojmë për gjashtë muaj shërbime falas nga radiologjia, ekzaminime në rentgen, në tomografi të kompjuterizuar, rezonancë, mamografi, terapi invasive me ndihmën e CT-së.
Ndërsa, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, falënderoi drejtuesit e Euromedit për ndihëm që kanë ofruar për qytetarët e veriut. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojnë këta banorë, është tepër me rëndësi solidarizimi prej të gjithë atyre që mund tu ndihmojnë në të gjitha fushat.
Ai sqaroi se në bazë të marrëveshjes, listën e pacientëve që kanë nevojë për trajtim të specializuar në Euromed do ta kryejnë strukturat përkatëse komunale.