Emsey Hospital, ofron mbështetje për shëndetësinë kosovare
Stamboll, 26 nëntor - Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, i udhëhequr nga Zëvendësministri i Shëndetësisë, Dr. Kadir Hyseini, dhe drejtori ekzekutiv i QKUK-së, dr. Nijazi Gashi, po qëndron për vizitë pune në Emsey Hospital në Stamboll.
Gjatë takimit me zyrtarë të Emsey Hospital, u diskutua për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet profesionistëve shëndetësorë nga Kosova dhe atyre nga Turqia.
Prof. Dr. Hayereddin Yekeler, Drejtor ekzekutiv i Emsey Hospital, njoftoi në lidhje me shërbimet që ofron ky Spital, duke ofruar bashkëpunim dhe mbështetje profesionale për kuadrin shëndetësorë nga Kosova.
Zëvendësministri, kërkoi mbështetje profesionale për shërbimet që aktualisht nuk ofrohen në Kosovë apo janë në konsolidim e sipër. Ai u interesua për thellim të bashkëpunimit dhe edukim të stafit për hemato-onkologji.
Drejtori ekzekutiv i QKUK-së, vuri theksin në trajnimin dhe edukimit të stafit, duke kërkuar që punëtorët e QKUK-së, që punojnë në kardiokirurgji dhe shërbimet hemato-onkologjike, t`u ofrohet mundësia e edukimit dhe trajnimit të vazhdueshëm profesionalë.
Dy palët u pajtuan për thellim të bashkëpunimit, përderisa pala turke ofrojë përkrahje për trajnim të kuadrove nga Kosova.
Delegacionin nga Kosova e përbënin edhe ndihmësdrejtori për shëndetësi i QKUK-së, dr.sci. Nexhmedin Shala, Znj. Lirije Beqiri, drejtoreshë e infermierisë, Prof. Behxhet Osmani, UD. Drejtor i Institutit të Onkologjisë, Dr.Arben Kutlllovci, UD. Drejtor i Klinikës së Radiologjisë, Prof. Ahmet Brovina, UD. Drejtor i Klinikës së Hematologjisë.