Ekspertët turk kryejnë operacione në QKUK
Prishtinë, 06 maj - Një grup i mjekëve ekspertë të urologjisë nga Universiteti i Ankarasë së Turqisë, gjatë ditës së sotme ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Grupi i ekspertëve në përbërje të Prof.dr. Ibrahim Bokërllë, Prof.dr. Jashar Ozgok dhe Doc.dr. Lutfi Tunc, për herë të parë në QKUK, sot po kryejnë disa operacione me laser në Klinikën e Urologjisë.
Gjatë ditës së sotme do kryhen 4 operacione, përderisa ditën e nesërme do kryhet edhe 1 rast i tumorit të veshkave. Gjatë kohës së kryerjes së operacioneve, ekspertët turk do jenë të shoqëruar edhe nga mjekët e Klinikës së Urologjisë.
Në mëngjesin e sotëm, me mjaft sukses janë kryer operacionet e para, përderisa gjatë ditës po vazhdojnë të kryhen operacionet e tjera. Pacientët që janë operuar sot, janë trajtuar në Klinikën e Urologjisë së QKUK-së, përderisa përzgjedhjen e tyre e kanë bërë ekspertët e shëndetësor.Delegacionin e ekspertëve turk, gjatë ditës së sotme e ka pritur edhe drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Ali Sadriu.
Drejtori fillimisht ka falënderuar mjekët turk për gatishmërinë e treguar për të ndihmuar shëndetësinë kosovare e në veçanti Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai kërkoi nga ekspertët turk që të ndihmojnë QKUK-në, sidomos në përgatitjen dhe ngritjen profesionale të stafit të QKUK-së. Z. Sadriu çmoi ndihmesat e dhëna deri tani nga ekspertët turk, duke kërkuar nga ta që edhe më tutje të vazhdojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre për QKUK.
Prof.dr. Ibrahim Bokërllë nga Universiteti i Ankarasë tha se janë të gatshëm të ndihmojnë shëndetësinë kosovare, pasi që Turqia ka staf profesional në lëmin urologjik. Ai premtoi përkrahjen e Universitetit të Ankarasë, sidomos sa i përket specializimit të kuadrove në Urologji, duke premtuar se ata mjekë që do dërgohen për aftësim profesional në Turqi do kenë të mbuluar shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit e po ashtu, shpenzimet e tjera përcjellëse.
Delegacioni i ekspertëve të urologjisë po qëndron në Kosovë me rastin e Simpoziumit të 7-të të urologjisë që këtyre ditëve do mbahet në Prishtinë. Ekspertëve turk, ftesa u është bërë nga Shoqata e Urologëve të Kosovës dhe Klinikës së Urologjisë së QKUK-së.