23 Dhjetor 2024

Ekspertët nga Dartmouth mbështesin reformën shëndetësore

Prishtinë, 15 maj - Një delegacion i Kolegjit amerikan Dartmouth përmbyll sot në Prishtinë vizitën e tij disa ditore, pak ditë përpara se vendi të hyjë në një reformë thelbësore te sistemit të shëndetësisë, e cila,  në përputhje me standarde të mirënjohura perëndimore, pritet të rris pavarësinë politike të sistemit dhe të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe optimizojë kostot e tyre, sipas një vizioni të ri menaxherial.
 
Një protokoll bashkëpunimi i iniciuar mes Dartmouth dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë objekti kryesor i diskutimit në takimet e shumta që delegacioni pati në Kosovë.
 
Ministri i Shëndetësisë prof. Dr. Ferid Agani e konsideroi vizitën e delegacionit të Dartmouth historike dhe vlerësoi se ky është çasti i kurorëzimit të një bashkëpunimi 14 vjeçar.

"Një institucion me përvojë 240 vjeçare është i gatshëm të mbështesë në mënyrë të integruar reformën tonë në shëndetësi, si në fushën e shërbimeve klinike, në rritjen e kapaciteteve mjekësore - atyre që shërbejnë dhe atyre që janë ende në Universitet, aftësimin e krejt personelit administrativ me një vizion të ri në menaxhimin e burimeve duke i dhënë dimensionin e duhur një politike me vizion afatgjatë" , u shpreh Ministri Agani..
 
Dr. Ëiley "Chip"Souba, dekan i mjekësisë në Dartmouth dhe zëvendëspresident për çështjet shëndetësore u shpreh se "institucionet arsimore që i përgjigjen vizionit të ri për shërbime më të mira kanë gjetur në Kosovë një politike të qartë dhe mbështetëse".

Unë jam i lumtur, tha Dr. Souba pas takimeve me presidenten Jahjaga dhe ministrin e shëndetësisë Ferid Agani, dy personalitete që e kanë vizituar kolegjin e Dartmouth gjatë vitit të shkuar, “pasi që  Kosova ka shansin që të mos përsërisë gabimet që shumë vende, përfshirë SHBA-të kanë bërë në sprovat e rritjes së një sektori kaq të rëndësishëm e delikat si ai i shëndetësisë”.
 
Ministri Agani konfirmon se mundësitë që ofron Dartmouth janë unike, me qendrat tejet të specializuara klinike, me përvojën në modelimet e shëndetit publik, me vizionet e reja të shkollës së biznesit Tuck. Një prej specialistëve më të mirë të shëndetit publik që ka punuar në 5 kontinente, Dr. Goodman ishte pjesë e delegacionit.
 
"Ne duam që Kosova të jetë një histori suksesi dhe një mjedis për t'u marrë shembull", nënvizon Dr. Souba. Ai e konsideron angazhimin e Dartmouth në Kosovë pjesë të angazhimit të përgjithshëm amerikan ndaj popullit kosovar që nisi me mbështetjen për çlirimin ushtarak te Kosovës. Dartmouth është i pranishëm në Kosovë me misione ndihme që prej vitit 1999.
 
Dartmouth është gjithashtu themelues i Fondacionit Kosovar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës.

Gjatë ditës së sotme, delegacioni vizitoi edhe Pavionin e Lindjeve dhe Gjinekologjisë në Klinikën Universitare të Kosovës.
 
Presidentja e Dartmouth znj. Carol Folt deklaroi në Samitin Ndërkombëtar të Grave mbajtur në vjeshtë të vitit të kaluar në Prishtinë, se “Për Dartmouth, Kosova dhe shanset e saj janë një vlerë e shtuar e punës sonë. Kosova është një cak për ne në kuptimin rajonal, ku ne synojmë të sjellim studentët tanë në mënyrë që të përfshihen në projekte që mund të zbatohen në këtë zonë”.
 
Kosova, sipas saj “ofron kaq shumë mundësi: ka një popullsi kaq të re, një vend i ri po ndërtohet, po konsolidojnë demokracinë... Studentët tanë mund të mësojnë shumë ndërsa do të jenë në kontakt me nivelet vendim-marrëse, do të jetojnë hapat e krijimit të një mjedisi të ri, të një shteti të ri, të ndërtimit të një kombi...” – u shpreh znj.Folt për median vendase. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)