Ekspertë të shëndetësisë turke vizitojnë Kosovën
Prishtinë, 24 mars - Me ftesë të Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Prof. Dr.Ferid Agani, një grup i ekspertëve nga Universiteti dhe Spitali Acibadem i Turqisë, sot dhe nesër do të qëndrojnë në Kosovë.
Delegacioni i ekspertëve shëndetësorë, me në krye Prof.dr. Eniz Ozyar, Shef i Departamentit për Radiologji dhe Onkologji, do të zhvillojë aktivitete edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sot Prof. Ozyar, do të mbajë një ligjëratë në Qendrën e Telemjekësisë Kosovare, me temën Përdorimi i teknikave të reja në Radiologji dhe Onkologji, të pranishëm në ligjëratë do jenë punëtorë shëndetësorë të klinikave të QKUK-së.
Delegacioni i ekspertëve shëndetësorë nga Turqia, në ora 15:30, do të vizitojë ambientet ku është duke u punuar për funksionalizimin e shërbimit të Kardiokirurgjisë.
Vizita do të vazhdojë në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, me çrast do të njihen për së afërmi me punën që bëhet në kuadër të Qendrës Emergjente.
Më pas, delegacioni do të ketë takim me Drejtorin e Qendrës Emergjente dr. Basri Lenjani, i cili do të njoftoi me punën, stafin dhe paisjet ekzistuese në kuadër Qendrës Emergjente.
Në takim do të bisedohet bashkëpunimi i dyanshëm, me theks të veçantë ndihma që mund të japin ekspert turk për Qendrën Emergjente dhe shëndetësinë kosovare në përgjithësi.
Nesër ekspertët nga Turqia do të bëjnë vizitë në Qendrën Diagnostike, përkatësisht në Departamentin e Radiologjisë, përderisa më pas do të vizitojnë edhe Institutin e Onkologjisë.
Po gjatë ditës së nesërme delegacioni nga Turqia, pritet të ketë takim me Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës,Dr. Ferid Agani, ku do të bisedohet për bashkëpunimin e dy anshëm dhe për ndihmesat eventuale që mund të japë shteti Turk dhe Spitali Acibadem.