Edhe 100 fëmijë pritet të trajtohen në klinikat e jashtme
Prishtinë, 10 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim drejtorin ekzekutiv të Gift of Life International, Robert Raylman dhe drejtorin e Gift of Life Kosova prof. Mazllum Belegu.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi zotëri Raylman dhe zotëri Belegu për angazhimin e tyre në dhënien e ndihmës për fëmijët nga Kosova, me probleme në zemër dhe ju ofroi mbështetje të plotë për vazhdimin e misionit tyre fisnik për shërimin e fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë shëndetësore.
Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë që ndihma mjekësore të mund të jepet në institucionet shëndetësore të Kosovës, që do të ndihmonte fëmijët.
Drejtori Ekzekutiv i Gift of Life International, Robert Raylman e njoftoi Presidenten Jahjaga, se deri më tani përmes nismës së tyre janë mjekuar 40 fëmijë me probleme të zemrës.
Ai theksoi se këtyre ditëve do të kryhet kontrolli edhe për 100 fëmijë të tjerë dhe pritet që 20 deri 25 prej tyre të fillojnë trajtimin në klinikat e ndryshme nëpër botë.