Ebola vazhdon të jetë problematike për botën dhe Afrikën
Gjenevë, 17 tetor - Numri i të vdekurve nga Ebola do të rritet në më shumë se 4, 500 këtë javë, ka thënë Isabelle Nuttall, drejtore e departamentit për menaxhimin e kapaciteteve globale pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ajo ka thënë se shpërthimi i virusit në tre vendet e Afrikës perëndimore, Liberi, Siera Leone dhe Guine, është ende jashtë kontrollit dhe ka kërkuar që fokusi i përpjekjeve ndërkombëtare të mbetet atje.
Të dhënat tona tregojnë se rastet janë duke u dyfishuar çdo katër javë. Sëmundja është ende e përhapur në Guine, Liberi dhe Siera Leone dhe atje ka transmetime të vazhdueshme të virusit, ka thënë Nuttall në një konferencë për gazetarë në Gjenevë.