Ebola ka shkaktuar vdekjen e 4900 vetëve
Gjenevë, 24 tetor - Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se lufta kundër Ebolës duhet të vazhdojë të përqëndrohet tek vendet e Afrikës perëndimore, ku sëmundja ka shkaktuar vdekjen e 4900 vetëve.
Pas një takimi në Gjenevë, Komiteti i Emergjencave i kësaj organizate tha se ndalimi i përhapjes së virusit në Guine, Liberi dhe Sierra Leone është hapi më i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes globale të sëmundjes.
Një deklaratë e komitetit thotë se duhet tu kushtohet vëmendje e veçantë nevojave të personelit mjekësor, në mënyrë që të nxiten specialistë të tjerë tu bashkohen përpjekjeve kundër sëmundjes. Komiteti vlerëson gjithashtu masat e kontrollit në aeroporte të ndryshme në botë për të identifikuar personat e prekur nga sëmundja, si hap i rëndësishëm për të mos lejuar përhapjen e infeksionit.
Bashkimi Evropian njoftoi se do të japë 31 milionë dollarë për kërkime shkencore në luftën kundër Ebolës.