EBA interesohen për ndërtimit e spitalit për gruan dhe fëmijën
Prishtinë, 12 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Dr. Maitha Salem Al Shamsi, Ministre e Shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, me te cilën bisedoi për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e shëndetësisë, bujqësisë, infrastrukturës, zhvillimit ekonomik dhe në fushën e edukimit të lartë.
Presidentja Jahjaga dhe ministrja dr. Maitha Salem Al Shamsi biseduan për mundësinë e ndërtimit të një qendre shëndetësore për gruan dhe fëmijën në kuadër të QKUK-së, rinovimin e shtëpisë së shëndetit Bin Zayed, të ndërtuar nga forcat paqeruajtëse të Emirateve të Bashkuara në Vushtrri, për fuqizimin ekonomik të gruas përmes një fondi për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme për gratë në Kosovë, që do të themelohej në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe bursa për studentët nga Kosova që të ndjekin studimet në shkollat prestigjioze të EBA-së.
Ministrja Al Shamsi shprehu gatishmërinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për ofrimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes për të dyja vendet.