Dy kompani farmaceutike rifillojnë testimin e vaksinës
Washington, 24 tetor - Dy kompani prodhuese barnash njoftuan të premten rifillimin e testimit në Shtetet e Bashkuara të vaksinave të tyre për COVID-19.
Testimi i vaksinës së kompanisë AstraZeneca ishte ndërprerë që nga fillimi i shtatorit, ndërsa studimi i vaksinës Johnson & Johnson u ndalua në fillim të javës së kaluar. Çdo kompani pati një nga vullnetarët e studimit të saj që shfaqi probleme serioze shëndetësore, zhvillim ky që kërkon një rishikim të të dhënave të sigurisë.
Të dy vaksinat e koronavirusit janë ndër disa vaksina kandidate në fazën përfundimtare të testimit, hapi i fundit ky para se të kërkohet miratimi i agjencive rregullatore.
Kompanitë farmaceutike thanë se morën miratimin të premten nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për të rifilluar testet në Shtetet e Bashkuara.
Ndalime të tilla të përkohshme të testimit të ilaçeve dhe vaksinave janë relativisht të zakonshme. Në hulumtimet që përfshijnë mijëra pjesëmarrës, disa ka të ngjarë të sëmuren. Ndërprerja e një studimi i lejon studiuesit të hetojnë nëse sëmundja është një efekt anësor apo një rastësi.
Testimi i vaksinës AstraZeneca, i zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, tashmë ka rifilluar në Mbretërinë e Bashkuar, Brazilin, Afrikën e Jugut dhe Japoni.
"Rinisja e provave klinike në të gjithë botën është një lajm i shkëlqyer pasi na lejon të vazhdojmë përpjekjet tona për të zhvilluar këtë vaksinë që do të ndihmojë në mposhtjen e kësaj pandemie të tmerrshme", tha në një deklaratë Pascal Soriot, drejtor ekzekutiv i kompanisë AstraZeneca.
Studimi i kompanisë AstraZeneca përfshin 30,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara. Disave prej tyre u injektohet vërtet vaksina dhe të tjerëve jo.
Testimi u ndërpre pasi një pjesëmarrës britanik zhvilloi simptoma të rënda neurologjike në përputhje me një inflamacion të rrallë të palcës kurrizore të quajtur mielit transvers. Testimi i AstraZenecas ishte ndalur gjithashtu në fillim të verës.
Johnson & Johnson thanë se po përgatitet të rifillojë rekrutimin së shpejti të vullnetarëve për studimin e saj të vaksinave në Shtetet e Bashkuara. Në një deklaratë, kompania nuk zbuloi natyrën e sëmundjes së vullnetarit të saj, por tha se një vlerësim i plotë "nuk gjeti prova se shkaku ishte vaksina".
Kompania shtoi se është duke zhvilluar bisedime me institucionet e tjera rregullatore nëpër botë, për të rifilluar testimin në vendet e tyre.