Duhani vazhdon të shkaktojë vdekje në të gjithë botën
Washington, 31 janar - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) këtë muaj përkujtojnë 50 vjetorin e raportit të parë të qeverisë mbi duhanin dhe shëndetin.
Një studim i ri tregon se ndryshimet e ligjeve si rezultat i atij raporti kanë shpëtuar shumë jetë. Edhe vende të tjera kanë vënë rregulla në lidhje me pirjen e duhanit, madje edhe ato vende ku ka një numër të madh duhanpirësish.
Raporti i parë i Shteteve të Bashkuara për duhanin dhe shëndetin u publikua në vitin 1964. Ai tregoi se pirja e duhanit mund të rezultojë në kancerin e mushkërive dhe sëmundje të zemrës. Ndikimi i raportit ishte i madh.
Ai çoi në një reduktim të duhanit dhe në rritje të madhe të dijeve rreth efekteve të tij të dëmshme.
Dr. Joanna Cohen kryeson Nismën Globale të Duhanit në Universitetin Johns Hopkins.
Nuk ka produkte të tjera konsumi që shkaktojnë vdekjen e aq shumë njerëzve si produktet e duhanit, thotë ekspertja.
Në Shtetet e Bashkuara , ligjet kufizojnë përdorimin e duhanit dhe mbrojnë të tjerët nga tymi i tij. Si rrjedhojë, sjelljet e njerëzve kanë ndryshuar si mes duhanpirësve, edhe mes atyre që nuk e pijnë.
Më vjen keq për duhanpirësit. Sepse dikur isha vetë krejtësisht e varur ndaj duhanit, thotë një grua.
Një nga varësitë më të këqija në botë është duhani. Thonë se mund ta ndalosh, por është shumë e vështirë, thotë një burrë.
Kam qenë duhanpirës 38 vjet dhe e kam të vështirë ta lë, thotë një burrë tjetër.
Studiuesi i universitetit Yale,Theodore Holford ka bërë sondazhe të shumta për duhanin.
Mesatarisht 19 apo 20 vjet jetë janë fituar nga individët të cilët shmangën vdekjen e parakohshme ngaqë lanë duhanin ose ngaqë nuk e filluan kurrë.
Studimi u botua në Revistën Akademike të Shoqatës Mjekësore Amerikane. Dr. Holford llogarit se mes 17 dhe 18 milionë amerikanë kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me duhanin gjatë 50 viteve të fundit , por pa kufizimet, këtij numri do ti ishin shtuar 8 milionë të tjerë.
Dr. Cohen, thotë megjithatë se e ardhmja duket e zymtë në të gjithë botën.
Ne do të përballemi me shumë më tepër vdekje dhe sëmundje nga produktet e duhanit gjatë viteve të ardhshëm.
Shumë shtete kërkojnë etiketa në paketat e cigareve dhe kufizojnë vendet ku njerëzit mund ta pijnë duhanin. Edhe vendet e njohura për përdorimin e duhanit - si Turqia dhe Rusia po ecin drejt kufizimit të tij.
Duhani mbetet shkaku numër një i vdekjeve të parandalueshme në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përdorimi i duhanit shkakton gjashtë milion e gjysmë vdekje çdo vit dhe parashikon se numri do të rritet. Organizata raporton gjithashtu se dy të tretat e njerëzve në botë nuk janë të mbrojtur nga tymi i duhanit.