Duhan pirja dëmton çdo aspekt të shëndetit seksual dhe riprodhues
Prishtinë, 27 qershor - Sot u mbajt diskutimi i dytë i hapur me qytetarët mbi Ndikimin e Duhanpirjes në Shëndetin Seksual Riprodhues.
Ky diskutim u organizua nga Koalicioni K10, koalicion ky i përbërë nga dhjetë organizata jo-qeveritare për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, përkrahur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Zyra në Kosovë, dhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky diskutim tregoi rreziqet e duhanpirjes në shëndetin seksual dhe riprodhues tek gratë dhe burrat e moshave të ndryshme. Qëllimi i diskutimit ishte trajtimi i efekteve dhe ndikimi i duhanpirjes në shëndetin seksual dhe riprodhues.
Gjatë diskutimit u tha që shumë studime botërore e mbështesin faktin që duhan pirja dëmton pothuajse çdo aspekt të shëndetit seksual dhe riprodhues, si dhe shëndetit të fëmijëve.
Dr. Sami Uka, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpjegojë që Falë aprovimit të ligjit kundër duhapirjes, këto vitet e fundit është vrejtur një trend pozitiv në uljen e shkallës së konsumimit të duhanit. Studimet e fundit kanë treguar që ka ulje të përdorimit të duhanpirjes, si dhe të ekspozimit të fëmijëve në tymë të duhanit.
Ndërsa, Dr. Jasmina Tolaj, gjinekologe, deklaroi që Duhani është shumë i dëmshëm dhe me pasoja të rënda për shëndetin e nënave dhe fëmijëve, duke shkaktuar lindje të parakohshme, foshnja me peshë të vogël, si dhe dëmtime të ndryshme të organeve.
Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë tha që Ligji në fuqi ndalon 100% pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura. Si dhe nëse e analizojmë vitet e fundit, pas vitit 2013 ku ligji ka qenë në majat e zbatueshmërisë, ka pasur ngecje te zbatimit të ligjit.
Kjo ka ndodhur si pasojë e neglizhencës dhe mos-kushtimit të vëmendjes së mjaftueshme nga institucionet përkatëse në monitorim.
Ndërkaq, Dr. Florina Ushaku Grezda, mjeke familjare nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, tha që Vëmendja kundër duhanit nuk duhet të shënohet vetëm me 31 maj në ditën ndërkombëtare kundër duhanit, por kjo temë duhet të jetë në fokus gjatë tërë vitit.
Diskutimet e tilla të hapura me qytetaret do të vazhdojnë të organizohen nga Koalicioni K10 që të adresojnë tema të shendetit seksual dhe riprodhues me qytetarët.