Dorëzohet ‘Amoxicilin’ në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë
Klinë, 27 maj - Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë u bë dorëzimi i medikamentit Amoxicilin, donacion ky i bërë i mundshëm përmes bashkëpunimit të suksesshëm dhe të vazhdueshëm në mes të Action for Mothers and Children dhe organizatës ndërkombëtare AmeriCares.
Në Klinë u dorëzua një sasi prej 44 kutive të medikamentit në formë donacioni, sasi kjo e cila do të mbulojë nevojat e QKMF-së.
Amoxicillin është lloj antibiotiku i cili përdoret për trajtimin e një numri të madh të infeksioneve bakteriale.
Ky medikament në formë të kapsulave mund të përdoret për infeksione të ndryshme si për fyt, pneumoni, infeksionet e lëkurës, infeksionet e traktit urinar dhe shumë lloje të tjera të infeksioneve.
“Jemi të lumtur se po vazhdojmë furnizimin e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare duke filluar në Prizren para disa muajsh dhe tani edhe në Klinë falë bashkëpunimit me organizatën ndërkombëtare ‘Americares’” theksoi Ariana Radoniqi, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.
Ardhja Amoxicilinit në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2018 si ‘Let’s Dance’ në Prishtinë, ngjarja ‘Meet Us Halfway’ në New York, SHBA dhe ‘ Darka e Diasporës’ në Zvicër.